Berisha: Fryma e ndryshimit ndihet kudo, në 14 maj shqiptarët votojnë të ardhmen

Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar këtë të mërkurë kandidaten e koalicionit Bashkë Fitojmë, për Bashkinë e Prrenjasit, Suzana Topi.

Gjatë fjalës së tij Berisha theksoi se 14 maji do të jetë një ditë e shënuar për gjithë vendin, pai qytetarët do të votojnë ndryshimin.

Ai tha se ndryshimi ka filluar të ndihet në të gjithë vendin, dhe se regjimit po i vjen fundi.

“Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të Përrenjasit, mirënjohje të pakufishme për këtë entuziazëm të zjarrtë. Fryma e fitores, fryma e ndryshimit po buron nga shpirti dhe zemrat e qytetarëve, banorë të Përrenjasit, Librazhdit, Elbasanit, Tiranës, Durrësit, Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë.

Mirënjohje të pakufishme për të gjithë mbështetjen që ju i keni dhënë dhe i jepni PD-së.

Suzana Topi me moralin e saj të lartë, aftësitë e saj të mëdha, me përkushtimin e madh, respektin dhe dashurinë që ka për ju, nderon çdo qytetar, çdo banor të kësaj bashkie, por edhe çdo shqiptar.

Suzana është një zonjë e nderuar, një akademike, ish-deputete, një punonjëse me një eksperiencë të gjatë na banka, një familjare e shkëlqyer, ndaj dhe kam bindje se ju, se të gjithë banorët e Përrenjasit, me datën 14 do të votoni Suzana Topin, numrin 2 në listën e kandidatëve, do të votoni koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’, numrin 1 në listën e partive.

Miqtë e mi!

14 maji është një ditë ndryshimi, ndryshimi ndofta më të madh në historinë e këtij vendi që nga viti 1992. Është një ditë ndryshimi sepse ju zgjidhini qytetar të parë bashkinë, një kandidate e dalë nga vullneti juaj, një kandidate një zonjë të nderuar që ju e njihni mirë, e cila është e gatshme që në këtë moment të ballafaqohet para jush, të debatojë para jush me rivalin e saj që fshihet si mi, që nuk ka guxim të dalë. E cila është e gatshme të ballafaqohet jo vetëm me rivalin e saj, të Përrenjasit por nuk vjen ai, as Glediani nuk vjen dot, as ky i kadastrës nuk vjen dot, nënpunësi i kadastës, as Belba nuk vjen dot, nuk vijnë këta, nuk vijnë se i kanë xhepat të mbushur me paratë e vjedhura nga ju.

Nuk vijnë këta, nuk vijnë se nuk i lejon Edi Rama, se po të vijnë ata, Edi Rama duhet të dalë bashkë me mua këtu në shesh, duhet të dalë para jush, duhet ti kthejë xhepat, por Edi Rama nuk i kthen xhepat, nuk del dot kurrë të përballet me Sali Berishën sepse jeton në saraje me 5 mijë metra katrorë oborrin.

Jeton në saraje me 570 metër gjatësinë e themeleve, jeton në sarajet e ndërtuara me materialet më të kushtueshme në një kohë kur kishte të deklaruara pasuri 3900 euro dhe 400 mijë lekë.

Nuk del dot sepse u akuzua me raport nga OSBE-ja në vitin 2014, sepse ke fshehur offshore 200 milionë euro. Nuk guxoi ti thotë një fjalë. Nuk del dot”, u shpreh Berisha.


Shtuar 3.05.2023 19:33