Në takimin e zhvilluar në Lezhë, lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, deklaroi se Edi Rama dhe Lulzim Basha e mbajnë peng selinë për shkak të projektit të kullave.
Në fjalën e tij, Berisha u zotua se do ketë protesta edhe më të fuqishme se më 8 janar.
“Një lojë e gjerë luhet kundër pluralizmit shqiptar, kundër jush, kundër shqiptarëve.
Qëllimi ynë më 8 janar ishte që të nxirrnim kriminelët nga shtëpia. Natyrisht ta nxirrnim nga zyra pengun e turpshëm, njeriun më të degraduar në historinë politike shqiptare.
Këto ditë doli se gjithë ai sulm ndaj selisë, ndaj demokratëve, gjithë ato mijëra bombola gazi e helmesh toksike, pluhurash toksike, të përgatitura nga trafikantë dhe vrasës në seli, kishin si qëllim, përsëri vjedhjen, vjedhjen dhe vetëm vjedhjen. Mos e harroni këtë.
Doli parku i katër hajdutëve, që duhej ndërtuar te selia e PD-së. Hajdut Ramës, hajdut Bravës, hajdut Fushës dhe hajdut Velisë. Parkun e kishin emëruar si parku i katër lirive, kur ai ishte parku i katër hajdutëve. Ky është shkaku pse Edi Rama kërkon të mbajë peng shtëpinë tonë, shtëpinë e lirisë, shtëpinë e demokratëve,” tha Berisha.
“Duhet të jemi të gatshëm për protesta më të fuqishme se ajo e 8 janarit. Axhenda jonë është liria dhe vetëm liria,” vijoi më tej ai.