Ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë se çmimet në Shqipëri janë 7% më të larta se mesatarja e vendeve të BE.
Ai shtoi se këto çmime e bëjnë Shqipërinë një vend të pajetueshëm, teksa shtoi se me vështirësinë më të madhe përballen pensionistët.
“Sirenat e dhimbjeve të skamjes, urisë dhe varfërisë po bien në çdo qoshe në të katërt anët e vendit.
Shqiptarët, çdo muaj, përballen me rritje çmimesh, ushqimet sot në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Itali, Greqi, janë përafërsisht sa në Gjermani dhe janë 7 përqind më të shtrenjta se në mesataren e vendeve të BE.
Rritja e çmimit të ushqimeve, sipas statistikave zyrtare, është 11.5 përqind, sipas statistikave reale është 13.5 përqind dhe kjo godet në mënyrën më të egër pensionistët, të papunët dhe familjet me ndihmë ekonomike.
Këto çmime, e bëjnë Shqipërinë një vend të pajetueshëm, e bëjnë jetën në Shqipëri të papërballueshme.
Unë mund t’u them se 48 përqind e totalit të pensionistëve shqiptarë, janë me pagesa të pjesshme.
Kështu, në vitin 2022, nga 481.420 përfitues të pensionit të pleqërisë, 231.722 prej tyre janë me pagesë të pjesshme.
Vendimi i qeverisë për të sjellë ligjin në parlament për indeksimin e pensioneve në masën 8 përqind është absolutisht një hipokrizi në sensin që nuk indekson as inflacionin. Kjo përqindje është 3 përqind më e ulët sesa vlera zyrtare e inflacionit dhe 5.5 përqind e ulët sesa vlera reale e inflacionit”, tha Berisha.