Fredi Beleri ka folur në mbledhjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ku po shqyrtohet vlefshmëria e mandatit të tij si kryebashkiak i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, pas vendimit të Apelit, që e dënoi me dy vite burg për krim zgjedhor.
Beleri deklaroi para Ilirjan Celibashit se shqyrtimi i mandatit të tij nuk ka bazë ligjore, pasi sipas tij, fillimisht ai duhet të lejohet të betohet si kryebashkiak dhe më pas të shkarkohet. Ai deklaroi se vullneti politik që e lejoi sot për të marrë pjesë në mbledhjen e KQZ-së mund ta kishte lejuar për t’u betuar edhe si kryebashkiak i Himarës.
Beleri tha se është i qartë që mandati i tij si kryetar bashkie ka mbaruar por sipas tij, duket qartë arroganca e mazhorancës që t’i bëjë votimet në muajin gusht. Ai i kërkoi më tej Celibashit që t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për ta zgjidhur këtë situatë.
Fredi Beleri: “Duket qartë që nuk ka bazë ligjore për shqyrtimin. Dikush do të nxjerrë gështenja nga zjarri me duart e KQZ-së. Institucioni që ju drejtoni ka ruajtur nderin e këtij shtetit, të gjitha institucionet e tjera janë bërë pjesë e paligjshmërisë për mua dhe banorëve të Himarës që më votuan për të drejtuar.
Siç erdha këtu mund të kisha vajtur dy orë në Himarë për tu betuar. Vullnet politik ishte sot, përvec dashamirësisë dhe kërkesës tuaj. Drejtoria e burgjeve në varësi të kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë më dha lejen. Këtë fare thjesht mund ta mirrja për të bërë betimin. Ata që vendosën rrëmbimin e bashkisë së Himarës e nuk duan që himariotët të shprehen duhet t’i lini të pijnë gotën e helmit deri në fund. Unë duhet të betohem e të më shkarkojnë. Jam i qartë që mandati im si kryetar bashkie ka mbaruar por duket qartë arroganca e tyre që ti bëjnë votimet në gusht. Pse KQZ ti bashkohet kësaj kërkesë. Kam frikë se gjysma e bashkisë do të verë në burg. Drejtoju Kushtetueses ta zgjidhë një herë e mirë këtë”.