Begaj sot në Itali, merr pjesë në ceremoninë mortore të ish-presidentit Giorgio Napolitano

Kreu i Shtetit, Bajram Begaj do të marrë pjesë në funeralin shtetëror të ish-Presidentit Giorgio Napolitano.

Ceremona mortore do të zhvillohet sot (26 shtator) në Selinë e Parlamentit italian në Romë.

Të pranishëm do të jenë figura të rëndësishme të politikës italiane dhe asaj evropiane.

Ish-Presidenti Napolitano ka qenë një mbështetës i përhershëm i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe i respektimit të të drejtave të shqiptarëve.

Italia e ka shpallur ditën e sotme zi kombëtare. Homazhet do të nisin rreth orës 11:30 dhe do të përfundojnë 13:00.

Arkivoli i Giorgio Napolitanos me kortezhin e tij do të nisë nga Palazzo Madama, do të udhëtojë përgjatë Corso del Rinascimento, Piazza Argentina, duke kaluar nëpër Piazza Venezia, Via del Corso, deri në Piazza Montecitorio.

Ceremonia në Dhomën e Deputetëve do të zhvillohet në prani të Presidentit të Republikës Sergio Mattarella dhe kryeministres, Giorgia Meloni.

Të pranishëm do jenë presidenti francez Emmanuel Macron dhe homologu gjerman Frank Walter Steinmeier.