Begaj kremton Ditën e Evropës me nxënësit e shkollës “Emin Duraku”: Evropa ëndrra dhe frymëzimi për çdo shqiptar

Presidenti i Republikës së Shqipërisë,  Bajram Begaj, kremtoi sot Ditën e Evropës me nxënësit e Shkollës “Emin Duraku” të Tiranës. Gjatë pritjes së organizuar në ambientet e institucionit, Kreu i Shtetit përcolli një mesazh të posaçëm për 9 majin.

“Evropa është ëndrra dhe frymëzimi për çdo shqiptar. Projekti i Evropës së Bashkuar është projekti më i mirë për Evropën, por veçanërisht për Shqipërinë. Rrugëtimi ynë për në Bashkimin Evropian është sfidues, kemi akoma rrugë për të bërë”, – u shpreh Presidenti Begaj.

Duke iu drejtuar fëmijëve, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE si plotësim të ëndrrës së kahershme të shqiptarëve, të cilën do ta gëzojnë brezat e rinj.

“Unë mendoj se ëndrra do të behet realitet për ju, fëmijë. Duhet të mësoni shumë, që të realizoni ëndrrën tuaj për të qenë dikush në jetë, por patjetër të shijoni dhe frytet e mira e të qenit bashkë në Bashkimin Evropian”, – u shpreh Presidenti Begaj në këtë takim.

Në koncertin e organizuar me këtë rast, nxënësit e klasës së 6-të të shkollës ”Emin Duraku” paraqitën krijimet e tyre artistike në poezi e prozë.

Gjithashtu, ata interpretuan valle, këngë, pjesë instrumentale me çifteli e kitarë, duke shfaqur talentet e tyre, si dhe interesin për traditën përmes krijimeve folklorike dhe atdhetare.


Shtuar 9.05.2024 14:09