BE: Festa në Republikën Sërpska është ilegale, do të ketë pasoja për shkeljen e integritetit të Bosnje dhe Hercegovinës

Bashkimi Evropian e konsideron 9 janarin, që në Republikën Sërpska – entitetin serb në Bosnje e Hercegovinë – konsiderohet si Dita e Republikës Sërpska, si festë antikushtetuese.

Kështu tha më 9 janar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili përsëriti se blloku evropian e mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës si shtet të bashkuar, duke theksuar se në Bruksel dënojnë çdo përpjekje apo retorikë ndarëse, shkruan REL.

“Pozicioni i BE-së ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i qartë për Bosnje e Hercegovinën. Ai pozicion është sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues duhet të respektohet. Të gjithë në Bosnje e Hercegovinë duhet ta kenë parasysh këtë. Të gjithë duhet të përmbahen nga retorika që vë në dyshim këto parime, sidomos në Republikën Sërpska”, tha Stano.

Sa i përket cilësimit të 9 janarit si festë jokushtetuese, Stano tha se ky cilësim bazohet në vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës.

“Kjo datë është antikushtetuese edhe për BE-në. Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dy herë është shprehur se shpallja e kësaj date si ditë feste në Republikën Sërpska nuk është në përputhje me rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës”, tha Stano.


Shtuar 9.01.2024 17:41