“BASHKITË BËJNË QEJF ME TENDERAT”/ Raportimi i KPP tek Ligjet për buxhetin, opozita akuza për tenderat korruptivë

Raportimi i Prokurimit Publik për buxhetin e vitit 2025 u prit me akuza nga radhët e opozitës.

Me raste si dosja 5D apo tenderat e fituar nga familjarët e ish-kryebashkiakut të Tropojës Rexhë Byberi, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi përpara përgjegjësisë vuri institucionin, që sipas tij nuk ka kryer kontrollet e duhura.

“Krijojnë vetë kompani, më pas ndjekin vetë procedurat e prokurimit dhe në fund shpallin veten apo njerëz të lidhur me ta si përfitues të fondeve publike.”

Në përgjigje të akuzave të Bardhit, kryetari Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri u shpreh se ka një sistem funksional të dorëzimit të ankesave dhe sipas tij në këto raste nuk janë evidentuar parregullsi.

“Në website-in e Komisionit Prokurimit Publik publikohet e gjithë vendimmarrja dhe gjithë ankesat e paraqitura në kohë reale. Nuk na rezulton të jenë ankesa të lidhura me këto procedura, megjithatë bëhet një verifikim dhe për çdo infromacion…”

Madje duke vlerësuar sistemin e KPP u shpreh se shpejt do të merret një certifikim që deri më tani nuk e ka asnjë shtet në Ballkan.

“E para, shpejtësia në vendimmarrje e Komisionit të Prokurimit Publik…”

Në krahë të kreut të KPP doli dhe mazhoranca. Deputeti socialist Toni Gogu u shpreh se dosjet e korrupsionit po zbulohen pasi po funksionin drejtësia.

“Po atëhere s’kishte SPAK dhe bubërronin, ndërkohë sot duke ngritur një strukturë të posaçme ku një nga veprat që shënjestrohet është korrupsioni, natyrisht që ka dalë në dukje korrupsioni.”

Pikërisht për këto çështje, shefi i deputetëve të PD i bëri thirrje SPAK për të hetuar edhe më tej tenderat e dyshuar si korruptivë në bashkitë e vendit.


Shtuar 16.11.2024 13:28