“Basha shkëmbeu Berishën me dosjen e lobimit”, PD padit Kokalarin: Je spekulante!

Partia Demokratike do të padisë për shpifje aktivisten Evi Kokalari, e cila sot në krah të Sali Berishës nga Durrësi u shpreh se Lulzim Basha e shkëmbeu mbylljen e dosjes së tij të lobimit në SHBA me përjashtimin e ish-kryeministrit nga grupi parlamentar.

Por, selia blu në një reagim për mediat e cilëson shpifje duke i kërkuar që të paraqitet në gjykatë për të provuar akuzën, që sipas PD-së është e rreme.

“Një spekulante politike, Evi Kokalari, guxoi sot të përsëriste përpara shqiptarëve shpifjet e Edi Ramës dhe Taulant Ballës ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha. Autoritetet përgjegjëse me kërkesë të vetë Partisë Demokratike hetuan për 2 vite lidhur me shpifjen e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, duke provuar në mënyrë ligjore dhe përfundimtare se ato ishin vetëm shpifje.

Ricikimi i të njëjtave shpifje, bëhet për të njëjtin qëllim, atë të mbajtjes në këmbë të regjimit kriminal të Edi Ramës. Për këtë arsye, Partia Demokratike do të padisë nesër penalisht për shpifje znj. Evi Kokalari, e cila mund të paraqitet në gjykatë për të provuar akuzat e rreme me dëshmitarët e saj të rremë Edi Ramën dhe Taulant Ballën” deklaron PD. Por cfarë tha Evi Kokalari? “

Arsyeja që u është dhënë të gjithëve që Berisha është përjashtuar është bërë fakt korrupsioni i tij, realiteti i tij është ndryshe, ai është përjashtuar, është u shkëmbyer me mbylljen e dosjes së korrupsionit të Lul Bashës, një dosje që ekzsiton në Shqipëri dhe Amerikë, kjo është arsyeja që Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar” tha Kokalari.

Për këtë arsye, vijoi më tej ajo “Bashës iu hoq e drejta e vizës për 2-3 vite. Kjo dosje është mbyllur që të nxirrte Sali Berishën nga grupi parlamentar”. Por Evi Kokalari kishte një paralajmërim për Lulzim Bashën. “Nëse Basha guxon të shkojë në Amerikë, dosjen do ta çojmë në kongres. Lulzim Basha i hapi “gropën” vetes” tha ajo./albeu.com


Shtuar 29.09.2021 20:10