Basha: Rama është bërë pishman për drejtësinë e re, i janë turrur SPAK-ut për ta sulmuar

Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha ka deklaruar se “kryeministri Edi Rama është bërë pishman si dreqi për drejtësinë e re.”

Në fjalën e tij para demokratëve të degës 11 në Tiranë, Basha u shpreh se PD është e qartë në qëndrimin e saj, duke mbështetur 100% SPAK dhe drejtësinë e re.

Sipas Bashës, tani që hetimet e SPAK po rrëzojnë njeri pas tjetrit, i janë turrur për ta sulmuar.

“Lufta për interesa personale për dy vite brenda PD, ka ardhur me një faturë shumë të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Një pjesë prej nesh e ka përjetuar atë kohë kur Shqipëria nuk kishte opozitë.

Ne nuk mund dhe nuk duhet të kthehemi në atë kohë. Tani që hetimet e SPAK po rrëzojnë njeri pas tjetrit, i janë turrur për ta sulmuar.

Dhe kjo nuk është kohë për dilema, por për qëndrime të qarta: e mbështesim apo jo drejtësinë.

Përballë kemi një kastë politikanësh që për 33 vite nuk kanë pyetur për ligjin. Ndaj, këta politikanë duhet t’i pyesim: Duhet apo nuk duhet ta mbështesim SPAK-un?

Tani që drejtësia ka nisur të veprojë, duhet apo nuk duhet ta mbështesim SPAK-un. E kuptojmë Edi Ramën që është bërë pishman për drejtësinë e re.

A nuk është kjo koha që opozita t’i qëndrojë në krah për të vënë para ligjit pandëshkueshmërinë. Si mund të jesh kundër drejtësisë, kur je kundër korrupsionit? PD e ka zgjidh këtë dilemë, 100% në mbështetje të SPAK-ut dhe drejtësisë”, tha Basha.


Shtuar 6.02.2024 19:15