Basha: Provat se kupola qeveritare është e lidhur me aferën e inceneratorëve janë mullar

Kreu i PD-së Lulzim Basha pas mbledhjes së grupit parlamentar ka dalë në një deklaratë për media ku ka thënë se janë të shumta provat që tregojnë se kupola qeveritare është e lidhur me aferën e inceneratorëve.

Sa i takon ish-kryeministrit Sali Berisha ka thënë se po bëhet pengesë për aksionin opozitar.

“Ne jem të fokusuar te njerëzit. Fundi i vitit po afron, ndërkohë që një nga skandalet më të mëdha ka plasur, skandali i inceneratorëve. Dje është përhapur lajmi se Ëngjëll Agaci është dorëhequr, por sot nuk konfirmohet ky lajmi. Arrestimi i Lefter Kokës është akt për t’u përshëndetur, por i paplotë nëse nuk shoqërohet me arrestime të tjera. Shqiptarët e dinë se Lefter Koka nuk ka vepruar i vetëm. Shqiptarët e dinë që 17 vendime u kaluan brenda natës. Për më shumë se katër muaj PD, që denoncoi dhe bëri të mundur nisjen e hetimeve, ka nisur edhe përpjekjet për transparencën e plotë parlamentare. I bëj thirrje Felajt dhe Ramës të mos pengojnë seancën e komisionit për inceneratorët, që do të zhvillohet në orën 12:00, ditën e nesërme, sepse po kryejnë vepër penale, por edhe po vetëzbulohen si autorë dhe bashkuatorë të kësaj afere.

Është bërë mullar me prova, se tek inceneratorët dhe me inceneratorët është e lidhur gjithë kupola qeveritare dhe nesër komisioni hetmor do të tregojë si u abuzua me miliona euro. Ndërkohë që ne jemi të fokusuar te ky problem që ka lidhje me korrupsionin qeveritar, Sali Berisha vërtetoi edhe njëherë se misioni i tij po bëhet pengesë për aksionin opozitar”, u shpreh Basha./albeu.com

 


Shtuar 21.12.2021 15:03