Basha: Në qeverisjen time nuk do të ketë anëtarë të kabinetit, që kanë shërbyer në të kaluarën

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mëngjesin e sotëm deklaroi se nëse fiton në zgjedhjet e 25 prillit në kabinetin e tij nuk do të ketë asnjë nga ministrat që kanë shërbyer në të kaluarën.

Me sa duket lideri demokrat ka vendosur që të mbajë larg posteve ministrore të gjithë ministrat e mëparshëm që kanë shërbyer në qeverinë Berisha.

Në një intervistë në news 24, Lulzim Basha tha se anëtarë të kabinetit të tij do të jenë persona me integritet, me profesionalizëm, që do të jenë në gjendje të mbajnë peshën e përgjegjësisë.

“Uji rrjedh, jeta rrjedh. Në qeverisjen time nuk do të ketë anëtarë të kabinetit, që kanë shërbyer në të kaluarën, por do të ketë anëtarë me integritet, me profesionalizëm, që do të jenë në gjendje të mbajnë peshën e përgjegjësisë. Do të përbëhet nga individë, zonja e zotërinj të spikatur, në fushat e tyre profesionale, që do të bëjnë të mundur krijimin e një kulture të re politike. Kjo na karakterizon neve si ekip, por edhe mua. Politika sot është bërë një fjalë e pisët, sepse ka hyrë dhunshëm në jetën e shqiptarëve, duke rënduar problemet. Ndërsa politika siç e shoh unë nuk mund të jetë një teatër, në kurriz të aspekteve të bashkëjetesës. Specialistët e fushave të ndryshme duhet të kenë hapësirën për të kontribuar. Ndo të thoja një ndryshim me çdo lloj përqasje ndaj qeverisjes që mund të kemi pasur në këto 30 vite, për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar”, tha Basha.


Shtuar 5.04.2021 09:01