Basha merr mesazhin e amerikanëve? RD sulmon Sali Berishën (FOTO LAJM)

Ditën e djeshme Partia Demokratike ka zyrtarizuar listën fituese të Kryesisë së Re të forcës kryesore opozitare në vend, përballë kryeministrit Rama që gëzon mandatin e tretë të fituar më 25 Prill.

Që në orët e para të organizimit, në ambientët e selisë blu u shfaq edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili duket i qartë dhe i sigurt për pjesëmarrjen në Kuvend.

Por përballë presionit të SHBA dhe akuzave e kritikave që kanë ardhur dhe nga demokratët, situata brenda PD duket e tensionuar dhe ende e pavendosur.

Pavarësisht se ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar publikisht se do të jetë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, hije revolte po ndihen brenda PD.

Menjëherë pas emërimit si Sekretare e të Përndjekurëve, Jonila Godole bëri një deklaratë që pritej të shkaktonte shumë zhurmë e kritika në radhët e demokratëve. Godole sugjeroi se PD duhet të shkëputet nga politika duke sjellë në vëmendje rastin e ish-kancelarit gjreman Helmut Kohl.

“Vendimi i z. Berisha është vendim personal i tij. Çdo forcë politike tregon pjekurinë e vet pikërisht në këto lloj momentesh të rëndësishme. Kjo do ta çojë PD përpara ose jo, këto janë kosto që do t’i mbajnë ata. Unë kam thënë që bota ka treguar që dhe personalitete të mëdha, të cilët kanë qenë absolutisht të rëndësishëm për gjithë Evropën, ku kam sjellë në vëmendje rastin e ish-kancelarit gjreman Helmut Kohl, në një moment të caktuar partisë i është dashur të marrë një vendim, që të ndahej prej tij, por duke respektuar kontributin e tij deri në fund…”- tha ndër të tjera Godole në intervistën e parë pas emërimit në kryesinë e PD.

Por ndërkohë që pritej zhurmë dhe mosdakordësi pas kësaj deklarate, në radhët e PD ka ndodhur e kundërta.

Ka qenë vetë gazeta e Partisë Demokratike, e cila ka publikuar artikullin në fjalë mbi deklaratën e saj me titull:

“Sekretarja e re për të Përndjekurit, Godole: PD duhet të distancohet nga Berisha!”

A është kjo një “shenjë” që PD po distancohet nga Berisha? 

Shpallja e Berishës “non grata” nga SHBA. 

Rikujtojmë se shpallja e Berishës “non-grata” në SHBA dhe akuzat e bëra ndaj tij për korrupsion madhor, tronditën thellë themelet e Partisë Demokratike, si dhe nxorrën në pah pakënaqësitë e mëdha ndaj kryesisë.

“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”, lajmëroi Sekretari Amerikan i Shtetit për vendimin ndaj ish-kryeministrit.

Ky vendim i SHBA është kundërshtuar me forcë nga Berisha i cili jo vetëm që mohon akuzat por ka nisur një proces gjyqësor ndaj sekretarit Amerikan të Shtetit.

Dorëheqja e Mark Markut nga mandati, dhe sulmi i hapur ndaj Bashës e Berishës: 

Rikujtojmë se vetëm dy ditë më parë, dha doreheqjen edhe demokrati “i zjarrtë” Mark Marku i cili deklaroi se Basha është vetëm kryetar i partisë së Berishës duke hedhur akuza të rënda mbi kryesinë.

“Duartrokitjet e delegatëve ishin harxhuar në fillim të fillimit, pra, kur në sallë u shfaq kryetari i vërtetë i PD-së, Sali Berisha, i cili kishte zgjedhur këtë moment për t’u treguar të gjithëve se kush kishte qenë kryetari real i PD-së për 8 vitet e shkuara në opozitë dhe se cili do të ishte katër vitet e ardhshme, po në opozitë. Besoj të gjithë tani e kanë kuptuar paradoksin e PD-së në tetë vjet: Basha, kryetar i partisë së Berishës”- deklaroi ndër të tjera Mark Marku. /albeu.com/

 

 

 

 


Shtuar 31.08.2021 17:43