Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i ka dërguar në shkresë Kuvendit për të ndryshuar rendin e ditës.
Bardhi, në emër të grupit parlamentar, i ka kërkuar që të fusë në rendin e ditës kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e Arben Ahmetajt.
“Sa kohë kërkesa përmban edhe nevojën për të autorizuar kontrollin e banesës së deputetit, si dhe nisur nga informacionet që z. Ahmetaj është larguar në datën 07.07.2023 nga territori i Shqipërisë, për të shmangur çdo vonesë që do t’i jepte kohë z. Ahmetaj, të humbë kontaktet për gjetjen e tij apo të kryente veprime që mund të pengonin drejtësinë, përmes zhdukjes apo fshehjes së provave kërkojmë Ndryshimin e Rendit të Ditës së seancës plenare të datës 13.07.2023.”, shprehet Bardhu në emër të Grupit të PD.
Ai shkruan se kërkesa e SPAK duhet të vendoset si pikë e parë e Rendit të Ditës dhe iu drejtua kryeparlamentares “duke shpresuar se nuk do të bëheni pengesë për organet e drejtësisë dhe do të përmbushni detyrimin tuaj sipas Kushtetutës dhe Rregullores.”