Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, komentoi vendimet e Këshillit Kombëtar të PD, për zëvendësimin e disa aktorëve politikë me të tjerë.
Një prej ndryshimeve ishte dhe ndryshimi i kryetarit të grupit parlamentar, Alfred Rushaj me nënkryetarin Enkelejd Alibeaj. Sipas Bardhit, ky ndryshim është bërë me konsensus të plotë dhe është vendosur që në këtë situatë që po kalon PD sot, ky vendim do të ishte i duhuri. Po ashtu ai foli dhe për të pezulluarit e përjashtuarit në parti. Për të përjashtuarit, Bardhi tha se nuk do të kenë asnjë shans, pasi ata një javë më parë në protestën e 8 janarit manifestuan dhunë. Për të pezulluarit, Bardhi tha se ka një tjetër mundësi.
Ata duhet të dëshmojnë se janë distancuar nga dhuna e kryer më 8 janar dhe të vijojnë të besojnë te aksioni politik i lidershipit. Dhunën në selinë e PD, Bardhi e argumentoi si një trishtim. Megjithatë ai shprehu mirënjohjen për demokratët të cilët u larguan, në momentin që mbi selinë e PD, nisën të hidheshin gurë e sende të forta.
Gazment Bardhi: Jam informuar nga kryetari i partisë dhe nga zoti Rushaj për një dakordësi mes tyre, që në ketë moment për sfidat që grupi ka përpara, drejtimi t’i kalojë nënkryetarit tjetër të partisë, zotit Enkelejd Alibeaj
Pyetje: Pra, dakordësi mes kujt?
Gazment Bardhi: Ka patur dakordësi dhe diskutim mes zotit Rushaj dhe zotit Basha. Pra, ka qenë vendim i përbashkët i tyre. Të gjitha vendimet që janë propozuar sot në Këshillin Kombëtar, do të kalojnë më pas edhe në grupin parlamentar të PD Dua të shpreh mirënjohjen time për punën e jashtëzakonshme që ka bërë zoti Rushaj në këto momente të vështira për PD. Si kryetar grupi ka bërë një punë të jashtëzakonshme, edhe pse, njësoj si pjesa dërrmuese e deputetëve, e kishte për herë të parë jeten parlamentare. E ka përballuar në mënyrën më të jashtëzakonshme të mundshme.
Pyetje: Por zoti Rushaj nuk ka qenë i pranishëm për arsye shëndetësore apo jo?
Gazment Bardhi: Zoti Rushaj, si një pjesë e kolegëve, për fat të keq, janë në kushte jo të përshtatshme shëndetësore.
Pyetje: Janë me covid?
Gazment Bardhi: Një pjesë e miqve tanë janë duke kaluar covidin.
Pyetje: Pra, nuk ka një arsyetim tjetër largimi i zotit Rushaj?
Gazment Bardhi: Jo, nuk ka asnjë arsyetim tjetër. Kam patur një bisedë me të dy dhe ka qenë një
vendimmarrje e përbashkët e të dyve./BW