Pas tensioneve para Kryesisë, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se sjellja e sotme ndaj deputetëve të opozitës është fytyra e vërtetë e kryeministrit Rama. Ai shtoi se deputetët e opozitës duan thjesht të ushtrojnë detyrën.
Bardhi: Besoj se aksioni i opozitës qëllimin e vet e ka arritur sot duke shfaqur në sytë e publikut fytyrën e regjimit të Ramës. Deputetët nuk lejohen të marrin pjesë në mbledhjet e grupit. Nuk aksesojnë zyrat e tyre në Kryesi, duke e trajtuar si vilën e Lindita Nikollës.
Sot kemi arritur që t’i tregojmë shqiptarëve se çfarë është në gjendje Rama të bëjë. Aq punonjës garde nuk i çohen bandave përballë, por i kanë vënë përballë deputetëve të opozitës. Kjo është fytyra e regjimit. Sot është tërësisht në kushtet e shpërdorimit të detyrës, se si ajo ka zyrë në Kryesinë e Kuvendit dhe unë dhe deputetët kam zyrë. Ne duam të ushtrojmë detyrën tonë si deputet. Sot kishim mbledhje grupi në orën 10:15, dhe kjo është shpërdorim detyre që do i bashkëngjitet kallëzimit për Nikollën.
Nga ana tjetër, Sali Berisha tha se parlamenti është “pronë” e një organizate kriminale të strukturuar.
Berisha: Shikoni çfarë ndodh, deputetët nuk lejohen të vijnë në zyrën e tyre. Ky është një akt i shëmtuar, ky është një akt i pashembullt në historinë 32-vjeçare të pluralizmit. Ky akt tregon tmerrin e Edi Ramës, tmerrin e organizatës së tij kriminale.
Ish-kryeministri shtoi se deputetët e opozitës nuk mund të ndalohen të hyjnë në zyrat e tyre dhe nuk mund të ndalohen që të mbledhin grupin.
Berisha: Kjo është fytyra më e turpshme e këtij institucioni, që në vend që të mbrojë interesat e qytetarëve, mbron interesat kriminale të Edi Ramës dhe bandës së tij. Ju nuk mund të bllokoni deputetët të shkojnë në zyrat e tyre. Ky Kuvend kaloi në klandestinitet. Edi Ramës i ka hyrë lepuri në bark, i është kallur data nga krimet dhe pasuritë e paligjshme./Albeu.com