Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur për akuza të tjera që lidhen me abuzimin në ushtrimin e detyrës.
Bardhi e akuzon kryeministrin Edi Rama se po i siguron Ballukut mbështetje politike, ndërsa shprehet kritik ndaj SPAK-ut, duke e cilësuar mosveprimin e tij si të pajustifikueshëm. Sipas tij, përfshirja e akuzave të reja ndaj Ballukut konfirmon edhe një herë qëndrimin e Grupit Parlamentar të PD-së për heqjen e imunitetit parlamentar të saj.
Të lidhura
None found
Ai argumenton se një person që përballet me disa akuza për abuzim me miliona euro nga Buxheti i Shtetit dhe që po hetohet gjithashtu për korrupsion e pastrim parash, nuk duhet të lihet i lirë. Sipas Bardhit, ekziston rreziku që ajo të ndikojë te provat, të dëmtojë hetimin ose të ushtrojë presion ndaj dëshmitarëve.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së kërkon që SPAK-u të zbatojë të njëjtat kritere për çdo zyrtar, pa përjashtime dhe pa ndikim politik. Ai thekson se respektimi i barazisë para ligjit është i domosdoshëm për të ruajtur besimin e qytetarëve te drejtësia.
Bardhi paralajmëron se një sistem drejtësie i perceptuar si i ndikuar nga politika mund të humbasë pavarësinë dhe paanshmërinë. Për këtë arsye, sipas tij, Prokuroria e Posaçme duhet të veprojë me të njëjtat standarde ndaj çdo zyrtari, pavarësisht funksionit që mban apo mbështetjes politike që gëzon.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Duhej të ishte në pranga, por vijon të lëvizë e lirë falë mbrojtjes politike të Edi Ramës dhe mosveprimit të SPAK-ut, të cilin ne e konsiderojmë të pajustifikueshëm.
Belinda Balluku është marrë sot e pandehur për akuza të tjera, të lidhura me abuzimet e pretenduara gjatë ushtrimit të detyrës.
Vendimi i SPAK-ut për të shtuar akuzat ndaj krahut të djathtë të Edi Ramës dëshmon sërish se qëndrimi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit të saj parlamentar ka qenë i drejtë dhe i domosdoshëm. Një person që përballet me disa akuza për abuzim me miliona euro të Buxhetit të Shtetit dhe që po hetohet edhe për korrupsion e pastrim parash nuk duhet të lejohet të qëndrojë i lirë, pasi mund të ndikojë mbi provat, të pengojë hetimet ose të intimidojë dëshmitarët.
Zbatimi i standardeve të njëjta nga SPAK-u është i domosdoshëm për të mos dëmtuar besimin e qytetarëve te drejtësia. Një sistem që nuk respekton parimin kushtetues të “barazisë së qytetarëve përpara ligjit” rrezikon të kthehet në një mekanizëm selektiv, në vend që të sigurojë drejtësi të barabartë për të gjithë.
Një drejtësi që shihet si e ndikuar nga vendimmarrja politike e mazhorancës nuk mund të quhet tërësisht e pavarur dhe as plotësisht e paanshme. Për këtë arsye, SPAK-u duhet të zbatojë të njëjtat rregulla ndaj çdo zyrtari, pa përjashtime dhe pa privilegje politike.
