Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, një një deklaratë për meda ka folur në lidhje me akuzën e bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se kryeministri Edi Rama, kreu demokrat Lulzim Basha dhe kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj janë takuar së bashku në restorantin e Gjergj Lucës.
Balla e mohoi një akuzë të tillë dhe bëri apel që fjalët e Berishës të mos merren për bazë.
“Kemi analizuar ecurinë e deritanishme të punës së grupit parlamentar, nuk e fsheh kënaqësinë që Kuvendi ka tejkaluar agjendat politike të palëve, dhe në mënyrë unanime u votua pro zgjatjes së afatit të mandatit për Komisionet e Vetingut. Në fund fitoi Shqipëria, unë asnjëherë nuk i shmangem pyetjeve. Nuk është e vërtetë që ka pasur takim… Mos ja vini më veshin Saliun se nuk i hyn më asnjë njeriu në punë”, tha Balla.
Në lidhje me Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore, Balla tha se PS e ka dhënë mbështetjen në Kuvend për ngritjen e Komisioneve.
“Ne kemi dhënë mbështetjen tonë në kuvend për ngritjen e komisioneve dhe do të votohet ditën e enjte dhe për përbërjen e tyre. PS do ketë 8 anëtarë në secilin prej komisioneve. Në Zgjedhore bashkëkryetar do jetë Gjiknuri. Sot është zhvilluar një diskutim për Reformën Territoriale. Ndërkohë që ajo që dua të them që edhe për këtë komision do propozojmë bashkëkryetarin dhe anëtarët. Mandati do jetë 6-mujor.
Nuk dua të paragjykoj punën e këtij komisioni. Ka plot çështje që meritojnë të diskutohen. Nuk ka pasur negociata për votimin. Është thjesht dhe vetëm ndërgjegjësimi i deputetëve të opozitës që vendosën ta mbështesin duke e konsideruar reformën në drejtësi hap të rëndësishëm.
Unë nuk dua të flas tashmë fare për këtë çështje sepse i takon komisioneve. Të gjitha propozimet që palët kanë duhet të drejtohen në komision. Ky komision ka marrë detyrën nga Kuvendi për të bërë një plan pune. Ajo që dua të them sot është që ky 6-mujor duhet të përdoret në funksion të adresimit të plotë të rekomandimeve të OSBE për të cilat ende nuk janë transpozuar në legjislacionin tonë zgjedhor. Komisioni për Zgjedhoren duhet të bëjë edhe ndryshime për partitë politike, financimin e partive politike.
Një rast është ai i financimit të dyshimtë që Basha dhe PD kanë marrë që me sa di unë është ende nën hetim. Duhet bllokuar çdo financim i dyshimtë”, tha Balla./albeu.com