Ukraina tha se forcat e saj kanë rimarrë 20 për qind të territorit që kishin humbur në qytetin Severodonjeck, që ishte fokusi i një ofensive ruse për të marrë rajonin lindor të Donbasit.
Serhiy Hayday, kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhansk, tha se ushtria ukrainase vazhdoi të mbante pozicionet e saj brenda Severodonjeck dhe po i shtynte forcat ruse në disa lokacione.
“Sapo të kemi mjaft armë perëndimore me rreze të gjatë veprimi, ne do ta largojmë artilerinë e tyre nga pozicionet tona”, tha Hayday.
Hayday tha më 4 qershor se forcat ruse po hidhnin në erë ura përgjatë lumit Seversky Donjeck për të parandaluar që Ukraina të sillte përforcime ushtarake dhe të dërgonte ndihma për civilët në Severodonjeck.
Ushtria e Ukrainës tha se Rusia ka përforcuar trupat e saj dhe ka përdorur artileri për të kryer “operacione sulmi” në qytet, i cili është bombarduar nga forcat ruse për javë të tëra.
“Armiku po ndërmerr sulme në qytetin e Severodonjeck me mbështetje artilerie, ai ka forcuar trupat e tij me rezervat e lëvizshme të korpusit të 2-të të ushtrisë, luftimet në qytet vazhdojnë,” tha ushtria më 4 qershor.
Ata megjithtë shtuan se forcat ruse ishin tërhequr pas përpjekjeve të dështuara për të avancuar në qytetin e afërt të Bakhmut dhe ndërprenë hyrjen në Severodonjeck.
Në rajonin jugor të Ukrainës, Odesa, një raketë goditi një njësi magazinimi bujqësor, duke plagosur dy persona në mëngjesin e 4 qershorit, shkroi zëdhënësi i administratës rajonale në Telegram.
Rusia ka rritur ofensivën e saj për të marrë terren më tej në zonat ku separatistët e mbështetur nga Moska tashmë kanë një bazë.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha në përditësimet e saj të rregullta se aktiviteti ajror rus mbetet i lartë mbi rajonin e Donbasit të Ukrainës me avionët rusë që kryejnë sulme të vazhdueshme./REL