Australia i kërkon Rusisë të dorëzojë tre të akuzuarit për rrëzimin e avionit MH 17

Australia i ka bërë thirrje Rusisë që të ekstradojë tre persona të shpallur fajtorë për rrëzimin e aeroplanit të Malaysia Airlines mbi Ukrainë me 298 persona në bord.

Sipas BBC, dy rusë dhe një ukrainas janë dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë holandeze, por mendohet se ndodhen në Rusi. Rusia e dënoi vendimin si skandaloz dhe të motivuar politikisht. Ka shumë pak gjasa që të tre personat të dorëzohen para drejtësisë.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të dorëzojë të dënuarit, në mënyrë që ata të përballen me dënimin e gjykatës për krimin e tyre të tmerrshëm”, tha ministrja e Jashtme Penny Wong.

Më shumë se tetë vjet pasi fluturimi MH17 u rrëzua nga një raketë e prodhuar nga Rusia mbi Ukrainën lindore, gjykata arriti në përfundimin të enjten se raketa ishte gjuajtur qëllimisht për të rrëzuar një aeroplan, edhe nëse objektivi kishte qenë një avion ushtarak dhe jo një aeroplan civil.

Dy rusët, Igor Girkin dhe Sergei Dubinsky, dhe ukrainasi Leonid Kharchenko, ishin të gjithë figura të larta në të ashtuquajturën Republika Popullore e Donetskut (DPR), e krijuar nga të ashtuquajturit separatistë kur shpërtheu lufta në Ukrainën lindore muaj përpara se të rrëzohej MH17.

Gjykata zbuloi se Rusia kishte kontroll të përgjithshëm mbi DPR dhe se kishte prova të shumta të kontaktit me Moskën para dhe pas sulmit. Të tre u shpallën fajtorë në mungesë për vrasje masive dhe rrëzimin e avionit. Një person i katërt që kishte përfaqësim ligjor në gjyq, Oleg Pulatov, u lirua nga të gjitha akuzat.

Nga 298 pasagjerët dhe ekuipazhi, 196 ishin holandezë, ndërsa shumë nga pasagjerët e tjerë vinin nga Malajzia, Australia, Britania e Madhe, Belgjika dhe vende të tjera./albeu.com


Shtuar 18.11.2022 15:01