Mbrëmjen e së dielës, Shkodra u trondit nga një atentat në drejtim të 19-vjeçarit Erjon Xhenje, i cili u ekzekutua teksa pinte kafe në një lokal në rrugën “Bujar Bishanaku”. Autorët kanë qenë 2 persona që janë afruar pranë lokalit me një motor.
Për të folur mbi ngjarjen në Shkodër, ka qenë e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan gazetarja Klodiana Lala, e cila ka dhënë detaje të reja mbi atë që mund të fshihet pas kësaj ngjarjeje.
Klodiana Lala: Shkodra po zien dhe po kthehet hakmarrja mes bandave tradicionale. Erjon Xhenje, viktima i cili ishte vetëm 19 vjeç, rezulton që ishte lidhje e Asmer Bilalit, është një personazh shumë i përfolur. Ka qenë i arrestuar në kuadër të operacionit ku u godit në atë kohë fisi Bajri. Vetëm njëri prej tyre aktualisht është i arrestuar, të gjithë të tjerët janë në liri. Ai shërbente tek ferma e Asmer Bilalit, punëtor ferme dhe është parë nga kundërshtarët si një personazh që mund të kishte lidhje me ngjarjet kriminale që po ndodhin në Shkodër.
Blendi Fevziu: Si mund të kishte lidhje kur punonte në një fermë?
Klodiana Lala: Kështu funksionon Shkodra. Atje po vriten dhe për fjalë goje. 19-vjeçari ishte punëtor ferme. Në 2 Shtator është vrarë Ismet Çekorja, djali i tij, Bajram Çekorja dyshohet për një atentat ndaj Alban Bruçit. Nëse ju kujtohet, Ismet Çekorja doli dhe tha se nuk ka asnjë lidhje me këtë histori, “djali im është i pafajshëm” dhe përdori një shprehje që “djalin tim nuk mund ta përbaltin ata që merren me stallat e kuajve”. Dhe kjo sipas grupit të hetimit, po përkthehet si një hakmarrje sepse njëri nga pjesëtarët e fisit Xhenje, dyshohet të jetë i përfshirë pikërisht në këtë vrasje, pra në vrasjen e Ismet Çekorjes. Në shenjë hakmarrje mendohet të jetë vrarë dhe Erjon Xhenje. Është ekzekutuar në një vend shumë të populluar. Vëllai i tij rezulton i skeduar në disa ngjarje të tjera kriminale.
Mes të tjera, Lala ka thënë se nëse nuk ndërhyhet për të luftuar bandat, situata në Shkodër mund të dalë jashtë kontrollit.
Klodiana Lala: Nëse nuk ndërhyhet, lufta mes bandave nuk mund të hetohet as me deklarata, por me veprime konkrete. Në të kundërt, Shkodra mund të dalë jashtë kontrollit. Po kthehen bandat tradicionale./tvklan.al