Atentati me eksploziv në Vlorë, gjendet një makinë e djegur në Darëzezë të Fierit

Policia e Fierit ka gjetur një makinë të djegur në fshatin Darëzezë.

Sipas uniformave blu, dyshohet që makina të ketë lidhje me atentatin me ekploziv në Vlorë, ku shënjestër ishte 33-vjeçari Indrit Sadedini.

Makina rezulton me targa të vjedhura gjë që ka shtyrë edhe më shumë dyshimet e policisë se mund të jetë përdorur pas ngjarjes në Vlorë.

Kamerat e sigurisë të bizneseve në afërsi të garazhit ku ndodhi shpërthimi kanë pikasur atentatorin i cili 15 minuta para se të ndodhte shpërthimi ka kaluar aty pranë me një kapuç në kokë dhe ka hedhur një pako duke e mbuluar me letër që të mos binte në sy. Atentatori ka qenë në distancë kur e ka shtypur butonin ndërsa bomba ka qenë e lidhur me telefon.

Më pas ai është larguar i qetë në këmbë. Mësohet se po i njëjti person është parë disa herë në zonë duke lëvizur me motor dhe i maskuar me kapuç. Në momentin që 33-vjeçari Indrit Sadedini ka dalë nga garazhi sapo ka shkelur pranë lëndës plasëse ajo ka shpërthyer duke i dëmtuar rëndë të dyja këmbët.

ABC mëson se po hetohet e kaluara e tij edhe jashtë vendit ku ka jetuar për disa kohë. Nga sa mësohet i riu nuk ka qenë i dënuar por ka disa precedentë të mëparshëm për shkak të përfshirjes në disa konflikte me persona të tjerë. 33-vjeçari u dërguar drejt Tiranës për një ndihmë të specializuar mjekësore, pasi si pasojë e shpërthimit ka pësuar dëmtime të rënda në gjymtyrë./albeu.com/