Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton pro rezolutës që fajëson Rusinë për krizën humanitare në Ukrainë

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka votuar në favor të një rezolute që e bën të qartë se Rusia është shkaku i vetëm i krizës humanitare në Ukrainë.

Pothuajse tre të katërtat e organizatës kërkuan akses ndihme dhe mbrojtje civile në Ukrainë dhe kritikuan Rusinë për krijimin e një situate “të tmerrshme” humanitare.

Rezoluta gjithashtu kërkon t’i jepet fund rrethimit të qyteteve, në veçanti të qytetit port të Mariupolit.

Është hera e dytë që Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh ka izoluar në masë të madhe Rusinë për pushtimin e fqinjit të saj.

Rezoluta, e cila u hartua nga Ukraina dhe aleatët, mori 140 vota pro dhe pesë vota kundër nga Rusia, Siria, Koreja e Veriut, Eritrea dhe Bjellorusia.

Gjithsej 38 vende, përfshirë Kinën, abstenuan nga votimi.


Shtuar 24.03.2022 18:13