Këngëtari Big Basta ka folur ditën e sotme në takimin e zhvilluar virtualisht nga ish-kryeministri Sali Berisha me diasporën shqiptare.
Gjatë fjalës së tij në ‘foltoren’ virtuale, ai tha se në vend ka artistë që nuk mbyllnin dot shpenzimet mujore, e për këtë arsye ai vendosi që të emigronte nga vendi.
“Edukimi i fëmijës tim ishte arsyeja pse zgjodhëm të emigronim në Zeleandën e Re. Një tjetër arsye që jam larguar është që kam investuar më shumë se gjysmën e viteve të jetës sime në muzike dhe po shoh tani që lufta për të drejtën e autorit është tashmë e humbur. Më vjen keq që sa herë një politikan publikon një libër me ideologji apo kujtime merr të ardhura nga e drejta e autorit, por sa herë një muzikant krijon duhet të përfitojë sa më shpejt nga çfarë t’i dalë më parë.
U frymëzova shumë nga artistët e vjetër të cilët me zor nxjerrin shpenzimet mujore për familjet e tyre dhe pashë veten time në të njëjtin pasqyrim. Kapa trenin e fundit për të investuar për të ardhmen e vetes time dhe familjes time. Prandaj me përulje ju lutem që kjo e drejtë autoriale apo pronësi intelektuale të jetë në plan kryesor me ardhjen e PD-së në pushtet”, tha ai.