Artan Hoxha: 40% e policëve janë me kredi, u mbyllën edhe mensat në komisariate

Gazetari Artan Hoxha deklaroi në ABC në emisionin Bardh a Zi, niveli bazë i pagesës së një polici sot në vendin tonë është 43 mijë lekë. Hoxha u shpreh se 40% e punonjësve të policisë kanë kredi për të shlyer.

“Niveli bazë i pagesës së një polici në Shqipëri është vetëm 43 mijë lekë. Çdo i ri me këtë pagesë a mbijeton dot. Duhet të ketë nivelin e pasionit në shkallën sipërore që të përballojë jetesën. 40% e punonjësve të Policisë së Shtetit janë me kredi”, deklaroi Hoxha.

Hoxha u shpreh se sot në policinë e shtetit nuk ka më as mensa që deri para ca kohësh shërbenin për efektivët e policisë me kosto më të ulët.

“Të kërkosh sot kur kemi grupe kriminale që kanë buxhet më të madh se ministria e Brendshme. Pistoletat që përdor policia e shtetit janë tokarev. Tek veshja vihet një rrip dhe në kllëf futet pistoleta.

Ne sot jemi 5 vite pasi kemi nisur reformën për drejtësi. Gjyqtarë dhe prokurorë i filtruam. Tani as prokurori as gjyqtari nuk bëjnë arrestim. I bëjnë këta që nuk dinë ku i zë nata. Çdo komisariat policie ka pasur mensë sidomos për ata që punonin larg vendit të banimit. Sot nuk ekzistojnë me. Edhe RENEA që është repart special nuk merr ushqim”, tha ai./Abcnews.al


Shtuar 3.11.2021 22:39