Akademiku Artan Fuga ka bërë një përshkrim të situatës së deritanishme lidhur me situatën pas zgjedhjeve.
Në një lidhje skype për “News24” Fuga tha se ky rezultat nuk është vullneti i qytetarëve.
Mes të tjerash profesori tha se në këto zgjedhje, 8 vite me të njëjtën mazhorancë, kemi një bojkotim dhe një zhvlerësim të politikës në masë nga qytetari shqiptar.
“Në këto zgjedhje ajo që është më kryesorja, jashtë këndvështrimit të politizuar, është se qytetari nuk ishte në këto zgjedhje. Nuk është vullneti i qytetarit. Në këto 3-4 vite janë me qindra mijëra shqiptarë që janë larguar, kjo vetëm nga politika por dhe nga vendi. Janë qytetarët shqiptarë që kanë gjykuar se është e pamundur qe me vullnetin politik të ndryshojnë diçka. Unë nisem nga shifra, s’dua të bëj opinione. S’jam as opinionist e as analist. Shifrat janë këto që afërsisht madje rreth 59% e votuesve se kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.
Një pjesë e tyre, 10-15 % nuk kanë qenë në Shqipëri, nëse kemi të regjistruar 3.6 milionë, dhe në kuti kemi 1.6 milionë, ne na mungojnë 2 milionë. Nuk mendoj se nga vendi kanë ikur 2 milionë. Ka njerëz që thonë se nuk do votojnë, por edhe shkojnë. Por kemi një bojkotim, një zhvlerësim të politikës në masë nga qytetari shqiptar. Ne do të shikojmë që nëse kanë votuar 50%, PS ka marrë 74 vende për deputetë, ka më shumë se PD dhe opozita në përgjithësi, do të qeverisi vetëm me 25 % të vullnetit të shqiptarëve. Kështu do të ndodhte dhe me PD.
Të dyja pakët mendojnë se përfaqësojnë shqiptarët, por fakti nuk përputhet me këtë propagandë, me këtë narcizëm të partive që flasin në emër të kombit shqiptar. Ata kanë 1/5 e vullnetit të shqiptarëve. Ka shtresa shoqërore që kanë pakënaqësinë e tyre, është 30-40 % e shprehur me një distancimi”, tha Fuga.
Duke u ndalur tek problemet e opozitës, Fuga tha se ajo nuk arriti që të shkonte tek qytetari i gjerë, ai që nuk merret me politikë. Fuga tha se opozita qëndroi në bunkerin e militantizmit politik, ndërsa mazhoranca mori vetëm votat e saj dhe jo më shumë.
“Ajo që është problem, është se dhe opozita nuk arriti dot që të shkojë tek qytetari i gjerë, i cili nuk është i angazhuar si militant. Ai bën jetën e vetë si qytetar, dhe dihet që fatin e zgjedhjeve e përcakton ai qytetar që është indiferent ndaj politikës. PD nuk arriti dot të hyjë tek ky elektorat. Mazhoranca nuk arriti që të merrte më shumë vota. Se 8 vite në pushtet për çdo forcë politike, krijon pakënaqësi dhe njerëzit e duan ndryshimin, në parim. Mazhoranca vjen në një farë mënyrë e drobitur politikisht.
Vinte me një Parlament kukull prej dy vitesh për faktin se opozita u largua nga parlamenti, por mazhoranca, në vend që të shkonte në zgjedhje, gjeti të arsyeshme të vijonte me një parlament kukull. Shkuan tek një palë zgjedhje ku opozita nuk mori pjesë në zgjedhje. Si erdhi dhe pse? Këto janë çështje të tjera që nuk dua të hy. Opozita qëndroi për mua në bunkerin e militantizmit politik, duke menduar se dinamika që do të jenin militantët dhe ky elektorali aktiv do të tërhiqte elektoratin e gjerë. U fut në atë teknikë që kandidatët për deputetë si të thuash, mendoi se do t’i zgjidhte nga baza. Pjesa më e madhe e kandidatëve për deputetë ishin të nxjerrë nga militantët, ishin figura lokale dhe s’kishin mundësi që të shkonin drejt qytetarit. Madje disa nga figurat kanë qenë të ezauruara. Disa figura të reja marrin më shumë vota se sa figurat që kanë një lloj ezaurimi që ta jep koha në politikë. Opozita nuk pati guximin që të emanciponte dhe modernizonte sistemin politik shqiptar. Partitë politike duhet të hapeshin me një program qytetar.”, -theksoi akademiku.