Arrestime në nivel të lartë janë bërë sot në Ministrinë e Financave.
Albeu.com mëson se në pranga ka rënë, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj, së bashku me drejtorin e këtij institucioni, Fatmir Hoxha, dhe përmbaruesin privat, Alban Ruli.
Mbi ta rëndon akuza e shpërdorit të detyrës.
Arrestimet vijnë pas hetimeve për të pandehurin Ilir Thana i cili akuzohet për mashtrim dhe kishin nisur edhe për zyrtarë të zyrës përmbarimore dhe Ministrisë së Financave të cilët me veprimet e bëra në kundërshtim me ligjin kanë shkaktuar një dëm ndaj buxhetit të shtetit që raportohet se kap shifrën e 1.2 milionë eurove.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria Tiranë kërkon “Arrest në Burg” për zyrtarët publikë dhe përmbaruesin për “Shpërdorim detyre”
Me kërkesë të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u caktua masa e sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin, A.GJ., Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, shtetasin F. H., Drejtor i Shërbimeve mbështetëse dhe çështjeve ligjore dhe A.R., përmbarues gjyqësor privat si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal.
Këta shtetas kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e shtetasit I. TH., në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015.
Deri në këtë fazë rezulton se Ministria e Financave ka kaluar në favor të shtetaist I. Th. shumën 48.118.366 lekë. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të shtetases Sh.P.
Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.
Organi procedues ka urdhëruar sekuestrimin e shumës se kaluar shtetasit I. Th. dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka urdhëruar ndalimin e shtetasit I.Th., për veprat penale të parashikuara nga nenet 134/3 dhe 320 të K.Penal si dhe vazhdon hetimet në lidhje me përgjegjësinë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal./albeu.com