Policia e Tiranës ka arrestuar një 37-vjeçar të shpallur në kërkim për vjedhje. Në pranga ka përfunduar shtetasi G. B., 37 vjeç, i dyshuar për disa raste mashtrimi dhe vjedhjeje.
Sipas raportimeve, më 14.08.2026, ai dyshohet se ka përfituar 20 000 lekë në dy biznese që ndodhen në rrugët “Brigada VIII” dhe “Teodor Keko”. Ai u kishte thënë punonjësve se njihte pronarët e subjekteve dhe se shumën do ta kthente menjëherë.
Të lidhura
None found
Dyshohet se 37-vjeçari ka kryer edhe një tjetër vjedhje më 21.08.2026, kur në një subjekt në rrugën “Skënder Luarasi” ka marrë një çantë ku ndodheshin 25 000 lekë.
Hetimet vijojnë për evidentimin dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të 37-vjeçarit. Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve dhe administratorëve të bizneseve të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar ndaj formave të mashtrimit. Sipas apelit, në asnjë rast nuk duhet t’u jepen para apo të dhëna personave të paverifikuar që kontaktojnë në forma të ndryshme, përfshirë videot e krijuara me inteligjencë artificiale.
Po ashtu, Policia kërkon që çdo dyshim, indicie, person i dyshuar ose rast kur qytetarët bien pre e këtyre veprave penale të denoncohet menjëherë. Bashkëpunimi i shpejtë dhe i ngushtë, theksohet në apel, ndihmon në identifikimin dhe kapjen e autorëve, si edhe në mbrojtjen e pronës dhe pasurisë së qytetarëve.
