Arrestohet ish-drejtori i RTSH dhe 3 punonjës të tjerë të televizionit, abuzuan me tenderat

Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe 3 punonjës të tjerë të televizionit janë arrestuar.

Arrestimet janë bërë me urdhër të SPAK, dhe akuzohen  për korrupsion në tendera.

Bëhet fjalë për tenderin e blerjeve të pajisjve të kanalit RTSH Agro me vlerë prej limit 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh) në nëntor të vitit 2018. Së bashku me Gëllçin në pranga kanë rënë edhe 3 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht të hetuarve J.T., A.M. dhe E.M.,

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 28.02.2020 ka regjistruar proçedimin penal nr.82/2020 për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Hetimet në kuadër të këtij proçedimi janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Pas kryerjes së veprimeve hetimore gjithëpërfshirëse lidhur me këtë proçedim rezultoi se:

Në proçedurën e prokurimit “Proçedurë e hapur”, me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me nr. REF-90011-10-16-2018, me fond limit 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), zhvilluar në datën 09.11.2018 nga autoriteti kontraktor Radio Televizioni Shqiptar, janë konstatuar shkelje ligjore, të kryera nga ana e tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht të hetuarve J.T., A.M. dhe E.M., shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) të Kodit Penal.

Po kështu nga hetimet ka rezultuar se edhe shtetasi TH.G., me detyrë ish-Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, ka kryer shkelje ligjore në këtë proçedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashkuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasve nën hetim J.T., A.M., E.M. dhe Th.G. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.79 datë 07.10.202, vendosi: “Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Vendosjen e masës të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasit nën hetim Th.G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit i detyrës, parashkuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Vendosjen e masave të sigurimit sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasave nën hetim J.T., A.M. dhe E.M., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe 25 të Kodit Penal.

Ky vendim është ekzektuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se, Gëllçi është liruar nga detyra si drejtor i përgjithshëm i  RTSH më 21 maj të këtij viti. Vendimi u bë i ditur nga vetë RTSH, e cila në një kronikë të përgatitur atë kohë deklaroi se atij i kishte mbaruar mandati i qëndrimit në detyrë. Këshilli Drejtuesi i RTSH votoi me 8 vota pro shkarkimin e Gëllçit, ndërkohë që drejtimi i televizionit i ka kaluar zv.drejtorit Martin Leka. /albeu.com


Shtuar 8.10.2021 21:27