Arrestohen 150 persona në Berlin që protestuan kundër vaksinimit të detyrueshëm

Policia në Berlin ka njoftuar të enjten se ka arrestuar rreth 150 persona, të cilët protestuan kundër vaksinimit të detyrueshëm kundër COVID-19.

Një ditë pas protestës, policia tha se rreth 150 njerëz u mblodhën në tubimin e një organizate, e cila përfshin njerëzit skeptikë ndaj koronavirusit, e që janë kryesisht aktivistë të ekstremit të djathtë.

Ky grup i aktivistëve ka marrë përsipër organizimin e protestave kundër politikave të qeverisë.

Sipas policisë, të mërkurën ka pasur edhe protesta të tjera të shpërndara.

Gjatë këtyre protestave, policia ka arrestuar rreth 150 persona. Për 32 të arrestuar filluan hetimet për prishje të qetësisë, rezistencë dhe fyerje ndaj oficerëve.

Gjithashtu oficerët e policisë kanë shqiptuar 108 gjoba ndaj personave që nuk mbanin maska në fytyrë, të cilat janë të obligueshme dhe nuk mbanin distancën e nevojshme.

Në këto protesta morën pjesë më pak njerëz sesa pritej./REL

Shtuar 28.01.2022 08:26