Me urdhër të SPAK, sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, është arrestuar sot pasi akuzohet për veprën penale të korrupsionit.
Para se rasti të bëhej publik në media, ka qenë kryeministri Rama ai që dha lajmin se është arrestuar një sekretare e përgjithshme, por pa përcaktuar se e cilës ministri.
Rama tha se ajo u kap në flagrancë duke marrë lekë dhe se kjo situatë e ka bërë të ndihet në një siklet të jashtëzakonshëm, duke shtuar se ka humbur sensi i detyrës dhe etikës së punës.
“Para pak orësh dëgjova për një situatë që realisht të vë në siklet të jashtëzakonshëm. Një sekretare e përgjithshme që kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhi kjo?! Natyrisht, që ana e pëlqyeshme e medalies është se kapet një person që është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti. Uroj që të ketë sa më shumë raste tilla, por s’mund të uroj që të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla, sepse është realisht dicka e rëndë dhe mungesa e sensit të patritizmit, detyrës, etikës në pikën që në një detyrë të rëndësishme të biesh në këtë lloj niveli është realisht e tmerrshme”, tha Rama.