Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas arrestimit të ish-agjentit kryesor të FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal.
Ky i fundit akuzohet se tentoi të ndihmonte oligarkun rus Oleg Deripaska të hiqte listën e sanksioneve, deklaruan prokurorët federalë.
Alibeaj shprehet se kjo ngjarje kërkon transparencë dhe hetim të thelluar. Më tej shton se zbardhja e plotë do të ndihmojë jo vetëm për informimin e saktë të publikut por dhe për ruajtjen e marrëdhënies së shëndetshme me partnerin tonë strategjik, SHBA-në.
Alibeaj: Akuzat e Departamentit Amerikan të Drejtësisë ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI McGonigal për përfshirjen në transaksione të paligjshme financiare me një oligark rus ku bën pjesë udhëtimi i tij në Shqipëri dhe takimi me Edi Ramën në vitin 2017 kërkojnë urgjentisht transparencë dhe hetim të thelluar. Retorika boshe për konsumin e politikës së ditës nuk e zbardh këtë çështje tepër të rëndësishme për marrdhënien e Shqipërisë me SHBA. Zbardhja sa më parë dhe transparenca e plotë është ajo që ndihmon jo vetëm për informimin e saktë të publikut por dhe për ruajtjen e marrëdhënies së shëndetshme me partnerin tonë strategjik.
Arrestimi
Charles McGonigal u akuzua të hënën në gjykatën federale në Uashington, D.C., në lidhje me pranimin e 225,000 dollarëve në para cash, gjatë kohës që punonte në FBI, nga një person që kishte interesa biznesi në Evropë, i cili kishte qenë i punësuar në shërbimin e inteligjencës, në Shqipëri.
Ky person më vonë u bë një burim i FBI-së në një hetim penal të lobimit politik të huaj, të cilin McGonigal po e mbikëqyrte, thanë autoritetet.
McGonigal, i cili akuzohet për deklarata të rreme dhe akuza të tjera në lidhje me këtë çështje, gjithashtu dyshohet se nuk zbuloi, siç kërkohej, se gjatë një udhëtimi në tetor 2017 në Shqipëri dhe Kosovë, ai ishte takuar me kryeministrin e Shqipërisë dhe me një politikan nga Kosova.
“McGonigal e tradhtoi betimin e tij solemn ndaj Shteteve të Bashkuara në këmbim të përfitimit personal dhe në kurriz të sigurisë sonë kombëtare,” tha ndihmësdrejtori i ngarkuar i FBI-së, Donald Alway.
Në çështjen lidhur me Deripaska, një aktakuzë me pesë pika në Gjykatën e Qarkut të SHBA në Manhattan akuzon 54-vjeçarin McGonigal dhe Sergey Shestakov, 69 vjeç, për shkelje të sanksioneve të Rusisë, përveç pastrimit të parave.
Shestakov është një ish-diplomat sovjetik dhe rus, i cili së fundmi ka punuar si përkthyes për gjykatën federale të Bruklinit dhe prokurorët atje. Ai ka nënshtetësi amerikane.
Ai akuzohet gjithashtu se ka gënjyer FBI-në gjatë marrjes në pyetje, duke fshehur natyrën e marrëdhënies së tij dhe McGonigal me një punonjës të Deripaskës, i cili gjithashtu u përfol se ishte një spiun rus.
Veprat e supozuara kriminale në emër të Deripaskës filluan një vit pasi McGonigal, i cili jeton në New York City, u tërhoq nga FBI në 2018 pas 22 vitesh shërbim.
Por aktakuza thotë se ai përdori gjithashtu lidhjet e tij të zbatimit të ligjit përpara daljes në pension për të marrë një stazh në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut për vajzën e tij në universitet, të punonjësit të Deripaskës.
Ndërsa ishte në FBI, McGonigal kishte hetuar më parë Deripaskën, i cili e bëri pasurinë e tij në industrinë e aluminit të Rusisë. Agjentët e FBI-së në tetor 2021 bastisën pronat në Nju Jork dhe Uashington që ishin të lidhura me Deripaska.
McGonigal u arrestua të shtunën në mbrëmje në Aeroportin Ndërkombëtar JFK në Queens, Nju Jork, pasi fluturoi atje nga Lindja e Mesme.
McGonigal dhe Shestakov, 69 vjeç, i cili gjithashtu u arrestua të shtunën në mbrëmje, do të dalin në gjykatë në Manhatan sot.
Akuzat ndaj tyre parashikojnë një dënim maksimal prej 20 vitesh burg nëse shpallen fajtorë./albeu.com