Arrestimi i ish-agjentit të FBI, Rama: Filloi gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, akuzat ndaj tij s’kanë lidhje me mua

Arrestimi i ish-agjentit të FBI-së në New York ka bërë bujë të madhe në Shqipëri. Jo vetë sepse akuzohet se ka thyer sanksionet e SHBA ndaj Rusisë, por edhe sepse ai akuzohet edhe se ka marrë 225,000 dollarë para në dorë nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare në këmbim të promovimit të interesave të tij të biznesit.

Gjithashtu, pas bërjes publike të dosjes, rezulton se Charles McGonigal në vitin 2017 ka zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama, i cili ka qenë sekret.

Rama u padit në SPAK nga Gazment Bardhi në lidhje me këtë çështje. Pas këtij kallëzimi ka reaguar duke mohuar të ketë lidhje mes tij dhe akuzave që i janë bërë ish-agjentit.

Reagimi i Ramës:

Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!

Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur.

Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë./albeu.com


Shtuar 24.01.2023 16:38