Mbrëmjen e djeshme, gazetari Artan Hoxha ka komentuar në studion e emisionit “Opinion” arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ndërsa tha se për të shmangur këtë veprim është bërë një luftë e madhe.
Duke vënë një paralele mes çështjes Tahiri dhe arrestimit të Dakos, gazetari u shpreh se Dako mund të hetohej edhe në gjendje të lirë apo në deteyrim paraqitje duke i marrë pasaportën.
“Është bërë një luftë e madhe për të shmangur pikërisht këtë gjë: prangosjen. Dhe mund të hetohej në gjendje të lirë dhe është e ligjshme. Mund të hetohej në detyrim paraqitje, mund t’i merrje pasaportën. Ka 100 mënyra të tjera që janë të parashikuara me ligj. Por pse shkojmë tek finalja? Pra tek masa ekstreme te arresti? Sepse masa ekstreme në këtë rast, edhe pse akuza është shpërdorim detyre… është bërë zhurmë e madhe këto ditë, doli Tahiri. Tahiri nuk është dënuar as për kultivimin e kanabisit, por për shpërdorim detyre. Ne sot si republikë nuk kemi një vendim të na tregojë kush e kanabizoi Shqipërinë në 2016. Zero. Në rastin konkret, kur nuk ndodhi kjo me rastin e parë, gjithë kjo zhurma me Tahirin u bë sepse ai vendoset me kanabizimin. Ndërkohë ka akuzë për shpërdorim detyre. Ndërkohë Dako akuzën e ka minimale, krahasuar me masën e sigurisë që e ka ekstreme. Kemi raste të ngjashme që janë në hetim, por nuk është marrë masa ekstreme. Lajm sot nuk përbën fakti që ka filluar çështja ndaj Vangjush Dakos, lajm sot përbën fakti që Vangjush Dako është ndaluar”, u shpreh Hoxha.