Arrestimet për koncesionin e sterilizimit, Basha thirrje SPAK: T’i shkohet deri në fund zinxhirit të përgjegjësive

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas 8 masave të sigurisë të firmosura nga SPAK lidhur me koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro.

Ai shkruan se paratë e qytetarëve prej vitesh nuk shkojnë në shërbim të pacientëve, por shkojnë te politikanët e korruptuar dhe klientët e tyre.

Sakaq, Basha i bën thirrje publike SPAK që t’i shkojë deri në fund zinxhirit të përgjegjësive, që sipas tij kanë shkaktuar dëme të parikuperueshme për qytetarët shqiptarë.

Lulzim Basha: Koncesionet në shëndetësi janë vepra korruptive të qeverisë Rama, të cilat janë denoncuar publikisht dhe janë kallëzuar penalisht në SPAK nga Partia Demokratike. Për vite me radhë paratë e shqiptarëve nuk janë vendosur në shërbim të pacientëve, por të politikanëve të korruptuar dhe klientëve të tyre. Kjo lojë e paskrupullt me shëndetin e njerëzve, është dëshmi e makutërisë primitive të kësaj qeverie, e cila duhet hetuar në thellësi, duke shkuar deri tek burimi i kësaj skeme korruptive dhe rrënuese për interesin publik, e cila nuk u ndal as gjatë kohës së vështirë të pandemisë. Përshëndes veprimet hetimore të SPAK dhe e inkurajoj t’i shkojnë deri në fund zinxhirit të përgjegjësive që kanë shkaktuar dëme të parikuperueshme për qytetarët shqiptarë, të cilët presin dhe meritojnë drejtësi!

SPAK arrestoi sot ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodjan Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.

Arrest shtëpie është vendosur për Saimir Kadiun, drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike.

Ndërsa “detyrim paraqitje” është vendosur për Arben Gjatën, Pertef Mersinin, Genc Burazerin dhe Naile Ajazin.

Hetimi për koncesionin e sterizlimit ka nisur në vitin 2020, dhe ishte padia e parë që u depozitua në SPAK, fill pas ngritjes së Prokurorisë së Posaçme.

/Albeu.com/


Shtuar 17.08.2023 10:31