Pyetja se ku ndodhet Arka e Besëlidhjes, i ka munduar për shekuj me radhë teologët dhe arkeologët. Është e vështirë të imagjinohet një objekt misterioz më imponues sesa Arka, një kuti që supozohet se është ndërtuar sipas udhëzimeve të vetë Zotit.
Për izraelitët, ajo ishte objekti i fundit i shenjtë. Por, pasi shfaqet dukshëm në Bibël përgjatë Pesë Librave të Moisiut, Arka e Besëlidhjet zhduket nga tregimi biblik pas Librave të Kronikave, dhe fati i saj mbetet i paqartë.
Po çfarë është Arka e Besëlidhjes?
Në Librin e Eksodit, thuhet se Arka u ndërtua nga punëtorë shumë të aftë, që përdorën dru akacieje dhe ar. Udhëzimet për ndërtimin e Arkës, që iu dhanë Moisiut nga Zoti, ishin shumëspecifike:Thuaji njerëzve të tu të ndërtojnë një Arkë nga druri i akacies, 1.1 metra të gjatë, 0.7 metra të gjerë dhe po aq të lartë. Mbulojeni me ar të kulluar, si brenda ashtu edhe jashtë, dhe bëni rreth tij një kallëp prej ari” (Eksodi 25:10-11).
Ndërtimi i Arkës dhe Tabernakullit, faltores portative në të cilën do të vendosej, iu besua një burri të quajtur Bezalel. Sipas Eksodit 31:3-5, Perëndia e mbushi Bezalelin me “Frymën e Perëndisë, me urtësi, me zgjuarsi, me njohuri dhe me të gjitha llojet e aftësive, për të bërë dizajne artistike me punime prej ari, argjendi dhe bronzi, për të prerë dhe vendosur gurë, punuar drurin dhe për t’u marrë me të gjitha llojet e zejeve”.
Pas përfundimit të saj, Arka u transportua duke përdorur dy shtylla, të bëra gjithashtu me drurin e akacies dhe ar, në shenjtëroren e brendshme të Tabernakullit, Shenjtin e Shenjtëve, ku u vendos nën një kapak prej ari. Në krye të pallatit të mëshirës, dy figura kerubinësh(Ëngjëjsh) të artë, u vendosën sipas udhëzimit të Perëndisë. Pllakat e gdhendura me Dhjetë Porositë u vendosën brenda arkës, nën krahët e shtrirë të kerubinëve. Po ashtu, arka u mbulua me një vello.
Arka luan një rol të rëndësishëm në tregimet biblike të Eksodit nga Egjipti dhe pushtimit të Kananit. Në të dyja rastet, Arka e Besëlidhjes u përdor si mjet për të mposhtur armikun. TekEksodi, tregohet sesi Levitët e marrin me vete Arkën në betejë, dhe prania e saj sjell arratinë e ushtrisë egjiptiane.
Tek Joshua, rrëfehet se Arka u mbajt për 7 ditë pranë Xherikos, dhe në ditën e 7-të u shembën muret e këtij qyteti. Por Arka përmendet edhe në historinë e Samuelit, kur Zoti e përdor atë për t’ia zbuluar vullnetin e tij Elit. Ndërkohë në Librin e Mbretërve, Arka rrëmbehet nga filistinët, por në fund kthehet sërish në Izrael.
Çfarë ndodhi me Arkën e Besëlidhjes?
Arka përmendet shkarazi në Dhiatën e Vjetër pas 2 Kronikave 35:3, në të cilat mbreti Josiaurdhëron rikthimin e saj në Tempullin e Solomonit:”Vendoseni arkën e shenjtë në tempullin e ndërtuar nga Solomon, biri i Davidit, mbreti i Izraelit. Ajo nuk duhet mbajtur mbi supet e njerëzve”.
Ky tregim sugjeron se Arka u mbajt në tempullin e Solomonit deri kur babilonasit e pushtuan Jerusalemin në 586 Para Krishtit. Gjatë pushtimit, Tempulli u plaçkit dhe u shkatërrua, dhe qënga ai moment vendndodhja e Arkës ka qenë objekt spekulimesh.
Ku ndodhet sot Arka e Besëlidhjes?
Ka shumë teori rreth asaj që ndodhi me Arkën pas shkatërrimit të Tempullit të Solomonit. Disa besojnë se ajo u rrëmbye nga babilonasit dhe u çua në Babiloni. Të tjerë mendojnë se ajo ishte fshehur përpara se të vinin babilonasit, dhe se gjendet e fshehur diku në Jerusalem.
Libri i Dytë i Makabenjve 2:4-10 thotë se profeti Jeremia u paralajmërua nga Zoti se pushtimi babilonas ishte i afërt, ndaj e fshehu Arkën në një shpellë. Ai këmbënguli se nuk do të zbulonte vendndodhjen e shpellës “deri në kohën që Zoti do t’i mblidhte sërish njerëzit e tij dhe do t’i mëshironte”.
Një teori tjetër pretendon se Arka u çua në Etiopi nga Menelik, djali i Solomonit dhe mbretëresha e Shebës. Në fakt, Kisha Ortodokse Etiopiane, Tevahedo, pretendon se e ruan Arkën në qytetin Aksum, ku ajo mbahet nën mbikëqyrje të rreptë brenda një kishe.
Por kjo tezë është hedhur poshtë nga Eduard Ulendorf, ish-profesor i Studimeve Etiopiane në Universitetin e Londrës, që pretendon se e ka ekzaminuar atë. “Ata kanë vërtet një kuti druri, por ajo është bosh. Ajo është ndërtuar maksimumi në Mesjetën e mesme deri në Mesjetën e Vonë”-thotë ai.
Ka shumë hamendje të tjera edhe më të diskutueshme. Kështu një teori pretendon se Kalorësit Tempullarë e çuan në Francë Arkën e Besëlidhjes. Një tjetër sugjeron që ajo përfundoi në Romë, ku u shkatërrua nga një zjarr që ra në Bazilikën e Shën Gjon Lateranit. Ndërkohë historiani britanik Tudor Parfit, mendon se arka është një artefakt të shenjtë, Ngoma Lungundu, që i përket popullit Lemba në Zimbabve. Parfit mendon se Arka u dërgua në Afrikë dhe se Ngoma Lungundu ose ‘Kutia e Bubullimave’ në gjuhën e Lemba, ishte e ndërtuar duke përdorur mbetjet e Arkës pas shpërthimit të saj 700 vjet më parë.
Ndërsa fati i Arkës së Besëlidhjes mund të mbetet gjithmonë një mister, e sigurt se do të mbetet edhe një simbol i fuqishëm fetar, dhe si një magnet i papërmbajtshëm për spekulime dhe teorizime për shumë vite në vijim./ HistoryHit – Bota.al