Ditën e sotme, Lindita Nikolla legjitimoi përjashtimin e Edmond Spahos dhe tre deputetëve të tjerë nga grupi parlamentar i PD, sipas vendimit të Lulzim Bashës.
Edmond Spaho ka deklaruar në MCN se mbështetësit e Berishës, nuk do të krijojnë një grup të ri parlamentar, por do të vijojnë të luftojnë brenda këtij grupi parlamentar.
Ai u pyet nga gazetarët se ç’do të ndodhë më tej me aksionin e grupit Berisha.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: Çfarë do të bëni ju konkretisht, sepse letrat që bëni, këta nuk pyesin fare. Keni plan të bëni grup tjetër parlamentar? Çfarë është aksioni juaj poliitk?
Edmond Spaho: Nuk kemi plan për të krijuar grup tjetër parlamentar. Ne jemi pjesë e grupit parlamentar të PD. Do të vijojmë luftën në PD. Me të njëjtat forma, do të vijojmë luftën në Kuvend. Do të keni parasysh që veç betejës në Kuvend, do të kemi protesta, që do të synojnë të shkatërrojnë këtë lidhje Rama-Basha.
Mos harroni se do të kemi edhe zgjedhje vendore, do të vërtetohet kush është shumicë, kë mbështesin qytetarët.
Arjan Çani: Profesor, do të merrni pjesë në zgjedhje?
Edmond Spaho: Do t’i paraqesim kandidatët si PD. Në varësi të qëndrimit të KQZ do të shohim.
Arjan Çani: Ju e dini që KQZ nuk e lejon këtë.
Edmond Spaho: Po e paragjykojmë, kur të vijë momenti do të marrim përgjigje zyrtare dhe do të marrim vendim.
Arjan Çani: Kush do ruajë votat tuaja? Keni komisionerë ju?
Edmond Spaho: Opozita dhe në kushtet ekzistuese ka njerëz në komision. Ne kemi deklaruar se do të krijojmë opozitë sa më të gjerë të jetë e mundur.
Ylli Rakipi: Këtu ta rrëmbejnë votën nga dora o profesor!
Edmond Spaho: Cfarë sugjeroni të dorëzohemi ne?
Arjan Cani: Është luftë për pushtet. Ose të shpallni falimentin… duhet metoda të reja, sepse këto nuk ju çojnë gjëkundi. Këto janë fakte profesor. Jemi përballë një absurdi, ku shumica e njerëzve e dinë shumë mirë që ajo që ka ndodhur në PD, është një gjë ashiqare, dihet që lidershipi I PD është në minorancë, ndërkohë ju e shihni që sistemi, aleatët amerikanë, kryeministri, drejtësia, mban pakicën.