Ardhja e vaksinave të para, Kurti: Është kontingjent i vogël, por që ngjall shpresë të madhe (FOTO LAJM)

Sonte në Aeroportin e Prishtinës ka arritur kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19, i cili është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX. Bëhet fjalë për rreth 24.000 doza të vaksinës së AstraZeneca, që vijnë me ndihmën e UNICEF-it përmes programit COVAX.

Në ceremoninë e pranimit të këtij kontingjenti të parë me vaksina kundërCOVID-19 në Kosovë morën pjesë kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

Kryeministri Kurti tha se kontingjenti i parë i vaksinave ngjall shpresë të madhe për shpëtimin e njerëzve, sidomos personelit shëndetësor, duke pasur parasysh numrin e lartë të rasteve të reja ditore, por edhe të viktimave si pasojë e kësaj sëmundjeje që ka prekur të gjithë botën.

“Është ky kontingjent i vogël por që ngjall shpresë të madhe në vendin tonë për fillimin e shpëtimit të jetës së njerëzve, sidomos personelit shëndetësor dhe popullsisë në rrezik. Secila jetë në secilin vend të botës është e çmuar dhe e baras vlefshme andaj bota ka nevojë për solidaritet ndaj këtij armiku. Deri tani kemi mësuar se virusi nuk njeh kufij, racë apo etni dhe askush nuk është në asnjë vend i sigurt derisa të gjithë jemi të sigurt. Më lejoni të falënderoj aleancën COVAX dhe të gjithë që po kontribuojnë vaksinim të barabartë në mbarë botën. Vendi ynë është i vogël dhe i varfër andaj ka nevojë për mbështetje e solidaritet nga të gjithë e sidomos nga miqtë tanë SHBA-të e BE që janë edhe më të rëndësishmit në këtë donacion. Kohën që shkoi Kosova ka humbur kohë që na ka kushtuar shumë jo veç në menaxhimin e pandemisë dhe ka kushtuar jetë njerëzish, ajo nuk mund të kthehet mbrapa siç nuk mund të kthehet mbrapa qindra jetë njerëzish që kemi humbur. Vaksinimi duhet të fillojë menjëherë. Në dy javët e fundit kemi mesatarisht 10 vdekje në ditë dhe trend në rritje, kemi humbur 16 mjekë e 8 infermierë dhe në një vend me kaq pak banorë i ngjajnë një vendi në kohë lufte, andaj masat tona duhet të jenë të shpejta e të drejta që t’i shmangim vdekjet, sot është tejkaluar numri prej 500 vdekjeve në vitin 2021 në Kosovë, prej janar, shkurt e deti më tani kemi 504 të vdekur në Kosovë nga COVID-19”, tha Kurti.

Ai shtoi se Qeveria e tij po bën të pamundurën që të sigurojë sa më shumë vaksina, teksa falënderoi mjekët, infermierët dhe të gjithë punonjësit shëndetësorë për punën e palodhshme që po bëjnë në shpëtimin e jetëve.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ardhjen e kontingjentit të parë të vaksinave antiCOVID-19 e ka quajtur të rëndësishme për Kosovën duke pasur parasysh  numrin e larë të personave të prekur me këtë sëmundje të rrezikshme infektuese, teksa shtoi se personeli shëndetësor do të jetë parësor në vaksinim.

“Sonte jemi së bashku në një moment të shumëpritur, kjo shënon fillimin e fazës së re në luftë kundër virusit. Ky kontigjent i vaksinave ka ardhur sot falë aleancës COVAX, ne falënderojmë shtetet dhe aleancat pjesëmarrëse që po sigurojnë solidaritet botëror për të gjitha shtetet dhe po sigurojnë gjithëpërfshierje për të gjitha shtetet. Sot jemi në gjendje të rëndë pas një viti me pandemi, me numër të infektuarve, me spitale në limite të tyre të kapaciteteve dhe numër të lartë të vdekjeve ditore. Kohë për të humbur nuk kemi, prandaj do të fillojmë me dozat e para në Klinikën Infektive në Prishtinë. Të nderuar qytetarë, vend për çlirim nuk ka, edhe pse vaksinimi po fillon nuk do të thotë se pandemisë po i vjen fundi, ne jemi në një realitet të ri dhe duhet t’i respektojmë masat antiCovid”, tha ai.

Ai tha se është në konsultim të vazhdueshëm me institucionet relevante për hapat që duhet marrë dhe ka paralajmëruar se Ballkani Perëndimor do t’i pranojë edhe 650 mijë doza të vaksinës Pfizer në ditët e ardhshme.

“Ne po punojmë me sigurimin e vaksinave të tjera. Ballkani Perëndimor do të përfitojë nga BE-ja edhe 650 mijë doza të vaksinës Pfizer, personeli shëndetësor do të fillojë vaksinimin i pari dhe ne jemi falënderues ndaj secilit që po luftojnë me orë të tejzgjatura të punës larg familjes për të mirë të qytetarëve. Në ditët javët e muajt në vazhdim ajo që na ndihmon më së shumti të dalim nga kjo gjendje është respektimi rigoroz i masave, duhet ta bëjmë këtë për veti e të tjerët, shokët e shoqet, kolegët e koleget, mësuesit, forcat e rendit, mjekët, prindërit e gjyshërit, motrat e vëllezërit, fëmijët tanë që mund t’i humbasim nga pakujdesia jonë”, tha Vitia.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri tha se ardhja e vaksinave të para shënon fillimin e fundit të COVID-19 në Kosovë.

 

“Është një kënaqësi e madhe që jam këtu për të pritur vaksinat e para në Kosovë. Është një emocion personal që jam këtu me ju sot, sepse komuniteti ndërkombëtar në Prishtinë dhe Kosovë ka kaluar nëpër pandemi së bashku me popullin e Kosovës dhe kemi ndarë kohën e dhimbjes me popullin e saj dhe humbjet e më të dashurve të tyre dhe situatën e vështirë që pandemia e ka krijuar që nga fillimi i saj. Sot, një vit më vonë, shënon një fillim të fundit të COVID-19 në Kosovë”, tha Serri.

Ndërsa përfaqësuesi i shteteve të QUINT-it, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicolas Abbott ka falënderuar Ministrinë e Shëndetësisë për mundësimin e sigurimit të këtij kontingjenti të vaksinave.

“Britania e Madhe ka kontribuar në këtë në fazë të hershme me COVAX dhe ka punuar me partnerët ndërkombëtarë për të ndërtuar atë që sot është një mundësi për shumë vende që të kenë qasje në vaksina. Jam i lehtësuar që ta shoh këtë në Kosovë dhe pres shumë që implementimi i vaksinave po zë vend në Kosovë dhe është rëndësishme për qëndrueshmërinë e Kosovës dhe vaksina është një mundësi për ta riforcuar këtë”, tha Abbott.

Përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara e Ekipit për Kosovë, Ulrika Richardson tha se kanë punuar së bashku me institucionet e Kosovës për sigurimin e vaksinës, teksa ka bërë thirrje për vazhdimin e implementimit të masave antiCOVID-19.

“Është një moment i gëzuar dhe i lumtur për Kosovën duke pranuar kontingjentin e parë të vaksinave, me lehtësimin e COVAX-it. Ne kemi parë pandeminë për nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar. Arritja e vaksinave sonte është fakt i bashkëpunimit ndërkombëtar… U bëj thirrje të gjithëve të vazhdojnë të mbajnë maska, të pastrojnë duart dhe të mbajnë distancën sociale. Ua kemi borxh atyre që humbën të dashurit e tyre dhe askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt”, tha Richardson.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar më 18 shkurt planin e ri shtetëror për vaksinim kundër COVID-19 në Kosovë. Në fazën e parë pritet të vaksinohen tre për qind e popullatës për të vazhduar me fazën e dytë me 17 për qind dhe në të tretën 50 për qind.

“Sipas planit të pasqyruar në këtë dokument (Plani Shtetëror i Vaksinimit), futja në përdorim e vaksinës kundër COVID-19 do të bëhet gjatë tri fazave. Në fazën e parë të futjes në përdorim të vaksinës, tre për qind e popullsisë apo 54.000 punëtorë shëndetësorë dhe të moshuar do të vaksinohen. Në fazën e dytë – pjesa tjetër e popullsisë prej 17 për qind (306.000 qytetarë) do të vaksinohen”, thuhet në plan.

Rreth 11 mijë doza vaksinash do t’u dedikohen 5.400 punonjësve shëndetësorë dhe të moshuarve nga 10 për qind e popullsisë që vaksinohet në fazën e parë në dhjetë komuna me shumicë serbe. “Strategjia e shpërndarjes së vaksinave në këto komuna është e njëjtë me komunat e tjera”, thuhet më tej në plan.

Sipas këtij dokumenti 70 faqesh gjatë fazës së parë dhe të dytë do të përdoren vaksinat që do të vijnë nga skema COVAX e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e në fazën e tretë planifikohen ato të kompanisë Pfizer.

Në raportin e aprovuar nga MSH janë paraqitur edhe kategoritë që pritet të vaksinohen kundër COVID-19, ku në të parën janë personeli mjekësor, banorët e shtëpive të të moshuarve, personat me sëmundje kronike dhe ata mbi 80-vjeç.

Në fazën e dytë prioritet u është dhënë mësimdhënësve dhe pjesëtarëve të forcave të sigurisë të përfshirë në menaxhimin e pandemisë. Sipas këtij plani, në Kosovë synohet vaksinimi i 70 për qind e popullsisë apo 1 milion e 260 mijë persona.

Shtuar 28.03.2021 11:03