Gjatë intervistës ekskluzive në ‘Çim Peka LIVE’, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, tregon se nuk është nën hetim nga SPAK për aferën e inceneratorëve.
Ahmetaj tregon gjatë intervistës edhe marrëdhënien me Mirel Mërtirin dhe njohjen me të.
Pjesë nga intervista :
‘Unë do të kursehem ta quaj afera e inceneratorëve, për një sekondë dhe do të them se, çështja e inceneratorëve u fokusua fillimisht tek Elbasani dhe Fieri, tek procedurat. Unë e kam deklaruar përpara shqiptarëve. Është e faktuar me letra. Mbase para 9 muajsh nuk më besonin, për arsye të emocionit, arsye të goditjes mediatike të paguar nga inceneratorët, për arsye të zellit të kryeministrit për të bërë prokurorin dhe gjykatësin ndaj meje, apo për të më zhveshur nga të gjitha funksionet politike, nuk po them qeveritare, të merituara. Të gjitha këto mua më kishin bindur që unë po vihesha përballë një goditje të organizuar, të pritshme dhe kur të gjithë aktorët e angazhuar kundër goditjes time, që në shtator të vitit 2021, mësuan me burimet e tyre të shumta se në finale ne e dimë kush e bën vetingun, kush merr në telefon, ne e dimë se kush dërgon mesazhe, se kush bën koordinatorin mes x dhe y. Kur morën vesh që në dosjen e Elbasanit dhe Fierit, unë nuk isha pjesë për shkak se unë nuk ka asnjë firmë në procedurë. Unë nuk kam marrë pjesë as në vlerësim, as në prokurim, as në përzgjedhje, tek asnjë prej inceneratorët.
Çim Peka: Nuk keni pasur asnjë rol te inceneratori i Elbasanit dhe Fierit në procedurë …
Arben Ahmetaj: Zero, është detyrë me ligj, është detyrë e autoritetit kontraktor. Dhe po të marrë Elbasanin …
Çim Peka: Si u përfshitë nga SPAK në dosjen e Elbasanit dhe Fierit…
Arben Ahmetaj: Nuk jam përfshirë tek Elbasani dhe Fieri, në gjykimin e Elbasanit dhe Fieri. SPAK siç e dini sot ka një dosje me dyshime. Një dosje prej 320 faqesh, që z. Peka unë do t’i kthehem momentit të kërkesës së imunitetit.
Çim Peka: Ju po thoni se Arben Ahmetaj nuk po hetohet për inceneratorët.
Arben Ahmetaj: Më fal, Arben Ahmetajt po i hetohet e gjithë jeta, përveç inceneratorëve, gjithë jeta. Edhe marrëdhënia ime me partneren time, Eriolën, që kur ka nisur. Madje me kë kam pirë kafe, kam biseduar, kam ngrënë drekë dhe me kë kam udhëtuar. Por vetëm procedura e inceneratorëve jo, dhe inceneratorët. Pse? Sepse nuk jam pjesë e procedurës. Nuk jam pjesë. Të mos qenit pjesë e procedurës nuk e kam bërë as nga halli dhe as nga qejfi, por nuk kam pasur funksion të tillë, që të përfshihesha në procedurë, nuk kam qenë autoritet kontraktor. Madje, e kam thënë. Unë në funksionet e mia zyrtare nuk kam ndonjëherë mundësi, as të jap leje ndërtimi, as të bëj prokurim. A u bën 1.1 miliardë dollarë në rindërtim, gjithë prokurimet janë bërë nga palë të treta, autoritete nënkontratore të vendosura me ligj dhe vendime qeverie. Nuk po hetohem për inceneratorët, po hetohet jeta ime. Është interesante. Dyshimet në dosje janë e para për fshehje të ardhurash, e dyta korrupsion dhe e treta për pastrim parash.
Çim Peka: Ndalemi pak këtu. Nuk po hetoheni për inceneratorët, por inceneratorët është hetuar dhe po hetohet Mirel Mërtiri, për të cilin ju keni thënë se keni njohje dhe e keni mik. Tani pyetja ime është, se nuk paskeni firmë, nuk paskeni qenë pjesë e procedurave, duke qenë se ju nuk keni qenë pjesë e procedurave, nuk keni asnjë firmë për inceneratorin e Elbasanit dhe Tiranës si shpjegohet që në dosjen e Altin Dumanit figurojnë disa pagesa nga subjekti ITS në favor të ish-bashkëshortes në favor për rregullimin e disa apartamenteve. Pse duhet të paguanin për ju.
Arben Ahmetaj: Nuk është e vërtetë. Ju falënderoj që e bëtë pyetje. Bëhet fjalë për 2.7 milionë lekë të reja në total, për një pronë të familjes time të dikurshme për rikonstruksion që ka të bëjë për pllakat dhe tubat e ujit. Dhe ish-gruaja ime Albina ka kontraktuar, siç kontrakton rëndom si ti dhe çdo shqiptar, për të rregulluar dyshemenë, apo tubat një individ, i cili ka pasur marrëdhënie kontraktuale me ish-bashkëshorten time dhe ajo nuk ka asnjë lloj kontrate, asnjë lloj transaksioni me ITS. Nëse personi në fjalë ka punuar për shumë kompani dhe mund të ketë përdorur niptin gabimisht apo me qëllim të ndonjë kompanie, kjo nuk është puna e ish-bashkëshortes time. Ç’punë ka. Ka dhënë paratë për të paguar ndërrimin e tubave të ujit dhe kabllove elektrike. Jemi duke folur për 2.7 mln lekë të reja, në një pronë e cila është deklaruar që nga viti 2009, është gati një pronë prej 160 metrash. Po kthehemi, a e njihni Mirel Mërtirin? Po e kam njohur Mirel Mërtirin dhe dua të sqaroj se, kur unë e kam njohur Mirel Mërtirin, i kishte filluar punët dhe madje të verifikohet se kur e kishte filluar punën në Fier, ai apo grupi i tij, apo kompania e tij që nuk e di nga ana e ogjikës juridike se si mund ti ketë krijuar entitetet. Ka pas filluar punë. Sepse u hap se paskam pasur një mesazh kafeje me Baftjar Zeqon. Unë nuk kam pirë kafe me Baftjar Zeqon, për të ndihmuar kënd.
Çim Peka: Sipas hetimeve të Altin Dumanit, gjithmonë sipas pretendimeve të SPAK, janë zbardhur disa komunikime nga telefoni juaj BlackBerry, të sekuestruara, në ato komunikime ju orientoni që shtetasi Mirel Mërtiri të zhvillojë takime me kryebashkiakët e majtë. Pretendohet për tendera ujësjellësash, që në fakt ka marrë në të gjitha bashkitë me matësat e, që sot nuk funksionojnë, por ky nuk është problemi juaj, ka marrë diku tek 19 milionë euro tendera. A e keni ndërmjetësuar ju Mirel Mërtirin me kryebashkiakët e majtë të qeverisjes tuaj, për ta ndihmuar atë.
Arben Ahmetaj: Jo dhe jo. Ky është moment shumë i rëndësishëm. Praktikisht unë e ti këtu nuk jemi për të folur për Mirel Mërtirin, por meqë më pyete, thashë e kam njohur, po e them dhe tani.