Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë në procesin gjyqësor mes Agron Shehajt, kryetarit të Partisë Mundësia, dhe Adriatik Lapajt, drejtuesit të “Shqipëria Bëhet”.
Me vendimin e 1 tetorit 2026, Apeli i GJKKO-së e ka shpallur Shehajn të pafajshëm edhe për akuzën e “Fyerjes”, duke rrëzuar gjobën prej 300 mijë lekësh të vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, trupi gjykues ka lënë në fuqi pafajësinë e Shehajt për veprën penale të “Shpifjes”, ashtu siç ishte vendosur më herët nga Shkalla e Parë.
Procedimi kishte nisur pas kallëzimit të depozituar nga Adriatik Lapaj më 1 prill 2025, në lidhje me disa deklarata publike të bëra nga Agron Shehaj. Lapaj e kishte akuzuar kryetarin e Partisë Mundësia për fyerje dhe shpifje.
Në vendimin e 21 janarit 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e kishte shpallur Shehajn të pafajshëm për shpifjen, ndërsa për fyerjen e kishte deklaruar fajtor dhe e kishte dënuar me 300 mijë lekë gjobë.
Debati mes palëve lidhej me deklaratat e Shehajt për marrëdhëniet profesionale të Lapajt me kompaninë “Merkaj 3 sh.p.k.”. Shehaj kishte thënë publikisht se Lapaj kishte marrë pagesa prej kësaj kompanie, e cila ishte sekuestruar nga SPAK në kuadër të një hetimi.
Adriatik Lapaj i kishte mohuar këto pretendime, duke sqaruar se nuk kishte përfituar pagesat për të cilat akuzohej dhe se shumat e përmendura kishin të bënin me detyrime për shërbime ligjore që ai kishte ofruar në cilësinë e avokatit.
Pas vendimit të Apelit, Agron Shehaj nuk do të paguajë gjobën prej 300 mijë lekësh për fyerje, ndërsa pafajësia e tij për akuzën e shpifjes mbetet në fuqi.
