Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka analizuar sot kërkesën e Partisë Demokratike për të mos regjistruar kandidatin e Partisë Socialiste për Bashkinë Mallakastër, Qerim Ismailaj.
PD kishte bërë kërkesë me pretendimin se Ismailaj ishte subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe më parë kishte marrë dënim penal.
Pas vlerësimit të plotë të situatës, KAS ka vendosur me shumicë votash të rrëzojë kërkesën e PD për të mos regjistruar kandidatin e PS për Bashkinë Mallakastër.
Vendimi:
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi elementët e formës dhe të përmbajtjes së kërkesës ankimore nr. 48, datë 07.04.2023, me ankues Partia Demokratike e Shqipërisë, me objekt “Shfuqizimi pjesërisht i vendimit nr. 300, datë 05.04.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Verifikimi i deklarimeve në formularët e vetëdeklarimit të kandidatëve për kryetar bashkie për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”. Ndalimin e kandidimit të kandidatit për kryetar bashkie të Mallakastrës, shtetasit Qerim Ismailaj, të propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit paraprak, KAS me shumicë votash vendosi moskalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore.