Anija me 22 mijë ton naftë kontrabandë në portin e Durrësit, “arrest me burg” pa afat për kapitenin rus

Kapiteni rus i anijes çisternë “Grace Felix” do të vazhdojë të qëndrojë në qelitë e paraburgimit në pritje të mbylljes së hetimeve nga autoritetet shqiptare.

Gjykata e Durrësit vendosi për herë të dytë “arrest me burg” pa afat për Aleksey Smaznov, kapiten i anijes me 22 500 ton naftë të sekuestruara për thyerje të embargos.

Anija me 22 mijë ton naftë kontrabandë zhdon të qëndrojë e bllokuar në radën e portit detar të Durrësit prej më shumë se një muaji.

Anija Grace Felix me flamur liberian ishte nisur nga Azerbajxhani dhe më pas ishte ngarkuar me naftë në portin Kallamata, në Greqi, nga një anije tjetër. Lënda djegëse mendohet se e kishte origjinën nga vendet nën embargo, konkretisht Rusia dhe ishte e kontrabanduar, pasi nuk kishte dokumentacion të rregullt.

Agjentët e antikontrabandës bllokuan anijen me naftë, së bashku me 22 anëtarët e ekuipazhit, të cilët po hetohen në gjendje të lirë. Aktualisht, anija Grace Felix ndodhet në radën e portit të Porto Romano, në një distancë prej afro 3 milje nga bregu. Ky është rasti i parë që kapet një anije me naftë që besohet se vjen nga Rusia./albeu.com/


Shtuar 4.04.2023 14:53