Angela Merkel vjen në Shqipëri, ky është politikani i vetëm që do të takojë

Më 14 shtator Kancelarja Angela Merkel vjen në Shqipëri. Ambasada gjermane ka zbuluar axhendën e saj të takimeve në vend.

Me mbërritjen e saj në Tiranë Merkel do të ketë një takim dypalësh me kryeministrin Edi Rama, dhe më pas do të jetë e pranishme në forumin me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në axhendë parashikohen takime dypalëshe me përfaqësues të të gjitha shtetet të BP-së me përjashtim të Serbisë (të cilën Merkel do ta vizitojë një ditë më herët), e cila zakonisht në këto takime përfaqësohet nga kryeministrja Brnabic.

Në takimin dypalësh mes Merkel dhe Ramës, ambasada njofton se do të bisedohet për çështjet e politikës ekonomike si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe integrimi i Shqipërisë në BE.

Në axhendën e bërë publike, nuk përmenden takime me zyrtarë të tjerë apo përfaqësues politikë në vendin tonë.

Njoftimi i ambasadës gjermane:

Kancelarja Angela Merkel do të vizitojë Shqipërinë të martën, më 14 shtator.

Në Tiranë ajo do takohet fillimisht për një bisedë me kryeministrin Edi Rama. Të planifikuara janë biseda që lidhen me çështjet e politikës ekonomike dhe marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, por edhe çështje që lidhen me përafrimin me BE-në.

Në bisedimet e mëpasme me krerët e qeverive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në plan të parë do të jenë çështjet e bashkëpunimit rajonal. Gjithashtu janë planifikuar bisedime dypalëshe me krerët e qeverive të Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. /albeu.com/

 

 


Shtuar 9.09.2021 12:09