Anëtarësimi në BE, çfarë tha ambasadori gjerman për shpalljen “non grata” të Berishës

Ambasadori gjerman në vendin tonë Peter Zingraf ka folur nga Maliqi për çeljen e negociatave me BE, teksa ka mohuar kategorikisht të komentojë vendimin e DASH për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Zingraf ka vizituar një projekt të KFË gjermane për trajtimin e mbetjeve duke thënë se projekte të tilla do vijojnë në rang vendi.

“Evropa është këtu, po vizitojmë projekte që janë investuar nga Gjermania.

Unë ndodhem këtu jo për të çelur diçka por për të parë një projekt mjaft të rëndësishëm. Si projekt u çel para 3 vitesh e gjysmë në praninë e paraardhëses sime dhe të kryeministrit. Asokohe ne çelëm një koncept projekt për trajtimin e mbetjeve, një trajtim i integruar i mbetjeve të cilat mblidheshin nga 6 komuna pranë Maliqit, projekt i KFË që ka qenë mjaft i suksesshëm. Është një projekt që iu kushtohet qytetarëve. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi në këtë kontekst në kuadër kombëtar. Kuvendi ka miratuar një plan kombëtar në këtë sektor dhe Gjermania së bashku me Zvicrën do angazhohen në një projekt të përbashkët, dhe ky shembull këto është mjaft i mirë”, tha Zingraf.

Sa i përket Berishës, i pyetur nëse ka një koment ai tha: “Jo nuk kam komente, jam këtu për të vizituar këtë projekt”.
Ndërkohë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ai shprehur vullnetin e qeverisë federale për të cilën kushtet nga Shqipëria janë plotësuar.

 

 

“Le të themi që unë shpresoj që bisedimet e anëtarësimit të nisin sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është një proces që kërkon mjaft punë, bashkëpunimin e gjithë aktorëve. Projekte të tilla çojnë në plotësimin e standardeve europiane.

Në emër të qeverisë federale për të cilën mua më lejohet të flas. Qeveria federale ka thënë që kushtet janë plotësuar tanimë. Të njëjtën gjë konfirmoi dhe BE. Unë jam optimist për nisjen e negociatave. Por ky është një proces që kërkon dakordësinë e të gjitha vendeve. Ministri federal është pro këtyre negociatave”, tha Zingraf.

Shtuar 24.05.2021 11:35