Pesë ndeshje në Ligue 1, zero gola. Fillimi i Leo Messit me fanellën e PSG-së ka qenë zhgënjyes deri më tani, për shkak të problemeve fizike, taktikave të lojës pariziene ende të pa asimiluara mirë. Duket se ndryshimi i mjedisit dhe skuadrës, pas epokës 20-vjeçare me Barcelonën, nuk po absorbohet si duhet nga ylli argjentinas.
Për të rregulluar sadopak dy muajt e parë në Parce des Princes” shërbejnë tre golat në Ligën e Kampionëve. Sipas shumë njerëzve, ato janë të pamjaftueshëm për të justifikuar emrin e madh që ka dhe shumën stratosferike që fut në xhep.
Mes tyre është edhe ish-sulmuesi i Chelsea, Real Madridit dhe Juventusit, ndër të tjerë, Nicolas Anelka, i cili analizoi fitoren me përmbysje të parizienëve ndaj Lille. Në pjesën e parë, Messi u zëvendësua nga trajneri Pochettino për shkak të një problemi muskulor, gjë që e shtyu sërish në kohë golin e tij të parë në Ligue 1.
I intervistuar nga RMC, ish-kampioni i Evropës me Francën nuk e kursey shumë Messin: “Ne të gjithë kërkojmë shumë nga Neymar, por mund të bëjmë të njëjtën gjë me Messin. Që nga fillimi i sezonit, ai nuk ka qenë fare në nivelin e tij. Po flasim për një lojtar që e ka fituar ‘Topin e Artë’ gjashtë herë, por në fund të fundit nuk është aq i jashtëzakonshëm”.
Pochettino e zëvendësoi Messin për siguri në ndeshjen e fituar kundër kampionëve në fuqi të Lille, në mënyrë që ta ketë gati për sfidën vendimtare kundër Leipzig, të martën. PSG do të përpiqet të sigurojë paraprakisht kalimin në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, ndoshta falë “Pleshtit”.
34-vjeçari argjentinas vazhdon të jetë favorit për “Topin e Artë” 2021. Suksesi në Kupën e Amerikës, zhurma mediatike për lamtumirën e Barcelonës dhe teknika e tij e pavdekshme duket se shkojnë përtej paraqitjeve zhgënjyese me PSG-në, duke marrë parasysh se ka pak ditë që votimi për çmimin prestigjioz është mbyllur.