Maqedonia e Veriut, të martën, më 19 korrik, do të hapë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE).
Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borell, i cili konfirmoi datën e hapjes së negociatave të anëtarësimit, tha se ky është një “moment historik”.
“Ky është një lajm i mirë. Nuk kemi shumë lajme të mira, por shpresoj se kjo do të forcojë angazhimin tonë në Ballkanin (Perëndimor)”, u tha gazetarëve Josep Borell më 18 korrik.
Ligjvënësit maqedonas valëvisin flamurin e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Shkup, 16 korrik 2022.
Një delegacion i Qeverisë maqedonase i udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, të hënën, ka udhëtuar për në Bruksel, për të marrë pjesë në këtë akt, pas 17 vjetësh pritjeje, pasi vendi zyrtarisht është kandidat për anëtarësim të plotë në BE që nga viti 2005.
Procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, fillimisht ishte bllokuar nga Greqia, e cila kontestonte emrin e shtetit.
Marrëveshja me Athinën për ndryshimin e emrit, Maqedoni në Maqedoni të Veriut, u arrit më 17 qershor 2018.
Por, me këtë marrëveshje nuk u zhbllokua integrimi evropian i këtij vendi pasi Franca bllokoi procesin me kërkesën për ndryshimin e metodologjisë së anëtarësimit për të gjitha vendet që i përkasin zgjerimit të BE-së.
Bullgaria fqinje ishte pengesa e radhës, e cila në nëntor 2020 vendosi veton ndaj Shkupit, duke kërkuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të hapura, që kanë të bëjnë kryesisht me gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase.
Mbajtja e konferencës së parë pason miratimin e dokumentit të njohur si “Propozimi francez”, që çoi në heqjen e vetos bullgare, por Sofja mban të drejtën e bllokimit të procesit në fazat e mëtejme, nëse pala maqedonase nuk i përmbahet propozimit apo një protokolli që dy vendet e nënshkruan të dielën në Sofje.
Sesioni ndërqeveritar i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, 25 janar 2022.
Hapja e bisedimeve të martën në Bruksel është “simbolike”, pasi bisedimet reale apo ato për kapitujt e BE-së do të nisin vetëm pasi Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën e saj për përfshirjen në të të bullgarëve, si të barabartë me popujt e tjerë.
Këtë e tha edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pas nënshkrimit të protokollit me ministren e Jashtme bullgare në detyrë, Teodora Gençovska.
“Konferenca e dytë është e kushtëzuar me ndryshimet kushtetuese. Lidhur me këtë ka pasur spekulime të ndryshme, të pavërteta për të futur huti në opinion. Kjo është ajo që kanë bërë edhe vende tjera, p.sh. si Kroacia, e cila në Kushtetutën e saj ka përfshirë të gjitha entitetet që jetojnë në këtë shtet”, ka deklaruar Osmani.
Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska.
Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Teodora Gençovska, ka thënë se tani pas heqjes së vetos, varet nga Maqedonia e Veriut se me çfarë shpejtësie do të ecë në rrugën drejt BE-së.
“Ju e dini se Bullgaria është shtet që fuqishëm mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë… Por, tani varet nga Maqedonia e Veriut nëse do të ecë shpejt apo ngadalë, nëse do t’i miratojë për dy muaj apo dy e tre vjet ndryshimet kushtetuese”, ka deklaruar Gençovska.
Protokolli, gjithashtu, parasheh zgjidhjen e kontesteve historike për çka janë angazhuar komisione nga të dyja vendet, por pa afate se kur duhet ta kryejnë punën.
Ekspertët duhet të gjejnë zgjidhje për përmbajtjen e teksteve shkollore dhe të kaluarën historike pasi shumë ngjarje nga e kaluara dhe shumë figura historike shënohen në të dyja vendet.
Protokolli është një dokument prej 20 faqesh që parasheh edhe shumë fusha të tjera të bashkëpunimit, përfshirë edhe bashkëpunimin për të luftuar gjuhën e urrejtjes.
Shkupi detyrohet t’i heqë të gjitha mbishkrimet dhe të luftojë me ngulm gjithçka që është anti-bullgare.
Opozita maqedonase, ndërkohë, mbetet në qëndrimin se Maqedonia e Veriut të martën nuk fillon bisedimet e anëtarësimit.
Kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë të hënën se “bisedimet reale do të nisin kur të ndryshohet Kushtetuta”, por kjo, sipas tij, nuk do të ndodhë pasi 44 deputetët e partisë së tij nuk do ta lejojnë një gjë të tillë.
“Ai protokoll praktikisht i hapi dyert e negociatave për Shqipërinë, i mbylli edhe më shumë për Maqedoninë, sepse siç thotë edhe vetë Gençovska (ministrja e Jashtme e Bullgarisë), konferenca e vërtetë ndërqeveritare do të bëhet menjëherë pas ndryshimeve në Kushtetutë dhe kjo nuk do të ndodhë. Këtë e garanton VMRO DPMNE-ja, sepse Qeveria nuk i ka dy të tretat në Parlament”, ka deklaruar Mickoski.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e organizimit edhe të një referendumi kundër propozimit francez dhe protokollit me Bullgarinë.
Por, Qeveria maqedonase beson se “bllokadat e VMRO DPMNE-së nuk do të kalojnë”, e që, sipas saj, u dëshmua me mbështetjen gjithnjë e më të ulët pati opozita nga qytetarët në protesta.
Sipas partive në pushtet, Maqedonia e Veriut “nuk ka alternativë tjetër pos integrimit në BE”, ndërsa është e bindur se marrëveshja e arritur me Bullgarinë nuk cenon çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin maqedonas.
Në të njëjtën kohë me Maqedoninë e Veriut, edhe Shqipëria, pritet të nisë negociatat për anëtarësim në BE.
Shqipëria ishte futur në një bllok me Maqedoninë e Veriut sa i përket nisjes së negociatave, dhe vetoja bullgare e vendosur ndaj Shkupit, bllokoi edhe rrugën e Tiranës drejt bllokut evropian.
Më 16 korrik, në ditën kur Shkupi miratoi propozimin francez, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se shteti i tij kishte mbetur peng për shkak të mosmarrëveshjeve midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund”, deklaroi Rama.
Shqipëria mori statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE më 2014.