Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka bërë një deklaratë të fortë ditën e sotme ku u shpreh se nëse Sali Berisha merr drejtimin e Partisë Demokratike, atëherë SHBA do të ndërprisnin marrëdhëniet me këtë parti.
Zgjedhja e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike do të bëntë forcën më të madhe opozitare në vend ‘non grata’ në SHBA. Këtë deklaratë të fortë e ka bërë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një intervistë për Top Channel.
Ajo u shpreh se nuk mund ta imagjinojnë një skenar ku ajo apo ndonjë nga pasardhësit e saj të pretendojnë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojnë për kafe me dikë që është shpallur ‘non grata’ nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor.
“Nuk ka për të ndodhur. Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, deklaroi Kim./albeu.com/