Ambasadori holandez: Mos kombinoni amnistinë fiskale me atë penale

“Kombinimi i amnistisë fiskale dhe penale ndoshta është i tepërt”, deklaroi sot H.E.Mr. Reinout Vos – Ambasador i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri gjatë aktivitetit “Pastrimi i Parave në kontekstin e Amnistisë Fiskale” – Europe House organizuar nga AIS/Open Data Albania. Ambasadori u shtohet zërave të institucioneve ndërkombëtare dhe Bashkimit Europian që i kanë kërkuar qeverisë të tregohet e kujdesshme me projektligjin për amnistinë të prezantuar së fundmi.

Projekti i hartuar nga Ministria e Financave ka në themel legalizimin e deklarimeve vullnetare të individëve, pa pyetur për origjinën në vlerën deri në 2 milionë euro “cash”, kundrejt një tatimi 7-10%, ndërsa nuk lejon transferimin e këtyre të hollave jashtë vendit për pesë vjet. Bizneset lejohen të pastrojnë llogaritë, duke deklaruar evazionin fiskal dhe ato që kanë krijuar pasuri jashtë vendit mund t’i riatdhesojnë.

Ambasadori holandez, i cili ishte pjesëmarrës në takimin e një jave me parë me kryeministrin, – kur ky i fundit ishte i ashpër ndaj Dhomës Amerikane dhe Institucioneve ndërkombëtare-, e komentoi takimin si më poshtë: “Ne morëm pjesë të premten e kaluar në takimin e organizuar nga Kryeministri dhe ajo çfarë kuptuam ishte pak a shumë kjo: “amnistia nuk është një gjë e veçantë, e kanë bërë vendet e BE-së, e kanë bërë vende të tjera të botës”. Është e vërtetë, ndaj edhe nuk ka lidhje aq shumë me faktin nëse ju lejohet apo jo ta bëni amnistinë, por si do ta bëni. Cilat janë modalitetet, mënyra e organizimit, cilat janë përjashtimet, cilat janë kushtet, çfarë do lihet, çfarë do hiqet”.

Ambasadori i BE-së e ka bërë të qartë se qëndrimi i BE-së është i përmbledhur në 3 pika:

-Flisni me Moneyval, grupin e ekspertëve të Këshillit të Evropës për pastrimin e parave, sepse është e rëndësishme që të jeni në të njëjtën faqe me ta.
-Mesazhi i dytë: Sigurohuni që Autoritetet Tatimore, Ministria e Financave dhe BE-ja të jenë të kënaqura me ligjin.
-Kombinimi i amnistisë fiskale dhe amnistisë penale është ca si tepër. Ai tha se është gjë e mirë që procesi i konsultimit është në vazhdim. “BE-ja do të ndërhyjë me ekspertët e saj për të biseduar me qeverinë dhe shoqërinë civile, kështu që këto seri nëse diskutimet do të vazhdojnë”, tha ai.
Ai shtoi se është mirë që procesi i konsultimit do të vijojë. BE-ja do të ndërhyjë me ekspertët e saj për të komunikuar me qeverinë dhe shoqërinë civile, kështu që presim që këto seri diskutimesh të vazhdojnë

AIS / Open Data Albania, si shoqëri civile, në raportin Konkluzione, Rekomandime dhe Alternativa Pastrimi i Parave në Kontekstin e Amnistisë Fiskale pohon se “Projektligji mbi amnistinë fiskale dhe penale në formatin që është hedhur për konsultim publik nuk duhet të shkojë për miratim për sa kohë shteti nuk është në gjendje të vendosë kontroll mbi informalitetin, korrupsionin dhe masave ndaj luftës për pastrimin e parave dhe financimit të terrorizmit. Amnistia nuk garanton trajtimin e barabartë të tatimpaguesve dhe dëmton klimën e biznesit. Përkundrazi, ligji favorizon subjektet e ekspozuara ndaj krimit dhe subjekte që kanë ekspozim politik. Aplikimi i një amnistie do të duhet të respektojë mbrojtjen e interesit më të lartë publik; sigurinë juridike, dhe barazinë e palëve para ligjit. Sipas nenit 18 të Kushtetutës të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe trajtim të diferencuar mund të ketë vetëm mbi arsye të përligjur dhe objektive, ndërkohë që një nismë e tillë do të krijojë një trajtim të pabarabartë fiskale dhe penale. Amnistia duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të sigurojë një trajtim të barabartë si për subjektet që janë përfitues sipas ligjit, por dhe për subjektet e formalizuar që mund të jenë në shkelje.

Zbatimi i ligjit në formën që është paraqitur për një amnisti fiskale dhe penale mbart një rrezik të lartë të pastrimit të parave të përfituara në rrugë kriminale dhe korruptive. Ligji nuk garanton mekanizma të kontrollit për marrjen e informacionit për ndjekjen, hetimin e deklarimeve vullnetare. Ligji do të lejojë amnistinë e parave kriminale, riatdhesimin e parave të cilat janë të padeklaruara në vendin e burimit, dhe të parave të përfituara në mënyrë korruptive nga funksionarë apo familjarë të tyre. Një rrezik i larte mbetet perceptimi se veprimtaritë kriminale do te amnistohen duke sjelle si pasoje nxitjen e ekonomisë informale dhe krimin. Ligji nuk jep garancitë e domosdoshme që mbas vitit “zero” do të forcohet kuadri ligjor dhe rregullativ për të mos lejuar shmangiet dhe evazionin tatimor, formalizimin e ekonomisë, për të synuar që shkeljet e ardhshme do të ndëshkohen me ashpërsi”, thuhet në konkluzionet e AIS.


Shtuar 20.07.2022 07:42