Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 15 mars se, nëse bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, që mbahen sot në Ohër, prodhojnë rezultat ideal, atëherë ai pret që pesë shtetet mosnjohëse të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Në intervistë, Rohde ka folur edhe për propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe ka thënë se njohja reciproke është kyçe në rrugën e këtyre vendeve drejt BE-së.
Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në dialog për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.
Së voni, dy shtetet janë pajtuar në parim për një propozim të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
Për zbatimin e këtij propozimi, udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë po bisedojnë sot në Ohër.
Një nga nenet e tij kërkon nga të dyja vendet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në 12 vjetët e fundit./REL/