Ambasadori britanik për zgjedhjet: Të hetohen parregullsitë

Duke reaguar për zgjedhjet e së dielës, ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman, kërkon nga institucionet shqiptare të hetojnë të gjitha parregullsitë e pretenduara në lidhje me procesin.

Ai thekson fushatën me program të Partisë Demokratike, ndërsa uron kryeministrin Edi Rama për mbështetjen.

Reagimi i ambasadorit Norman:

Urime Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste për rezultatin në zgjedhjet parlamentare, si dhe qytetarëve për pjesëmarrjen e tyre, pavarësisht kufizimeve të COVID19. Theksojmë gjithashtu fushatën e mbështetur në programe që zhvilloi Partia Demokratike si dhe rritjen e shënuar në rezultat.

Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur dhe ka ndjekur nga afër përgatitjen dhe organizmin e zgjedhjeve të 25 prillit. Pamë me kënaqësi zbatimin e legjislacionit zgjedhor dhe pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve në votim.

Inkurajojmë gjithashtu institucionet shqiptare të hetojnë të gjitha parregullsitë e pretenduara në lidhje me procesin. /albeu.com/


Shtuar 28.04.2021 20:21